Koha kur Qeveria mund ta propozojë një draft-statut të Asociacionit, sipas Konjufcës - NACIONALE

Koha kur Qeveria mund ta propozojë një draft-statut të Asociacionit, sipas Konjufcës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi sot se ‘Qeveria mund ta propozojë një draft të Asociacionit’. Dhe kjo sipas tij, do të bëhet kur të nënshkruhet marrëveshja e Ohrit.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, kishte bërë bujë me deklaratën për Draftin e Asociacionit, kur pati deklaruar se e kishte lexuar ‘sipërfaqësisht’ dhe se ‘ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës’.

“Në një shikim sipërfaqësor, po [propozimi për Asociacionin] është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por, edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodh ndonjë draft i Asociacionit, ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse veç ndodh, nëse jo nuk do të propozohet fare”, pati thënë Konjufca në deklaratën e bujshme pak ditë pasi në Kosovë, kishte arritur Drafti i Asociacionit.

Por, ai sot ka deklaruar se ky draft ‘as që do të dërohet në Gjykatë Kushtetuese’.

Thotë se qeveria e Kosovës mund ta propozojë vetë një draft dhe se koha se kur mund të ndodhë kjo, sipas tij, është ‘kur të nënshkruhet marrëveshja e Ohrit’.

“Qeveria në momentin që do t’i vjen koha do ta propozojë vet një draft dhe do të marr pjesë edhe nga ky draft, pra nuk është refuzim. Jo nuk mendoj se një draft i tillë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, sipas marrëveshjes së 2013 kjo çështje është komplet e brendshme e Kosovës edhe vet Lajçak tha se nuk është fare çështje negociatash ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe është vetëm një obligim ndërkombëtar që do të thotë të zbatohet kur t’i vijë koha në këtë rast sipas qeverisë kur të nënshkruhet marrëveshja e Ohrit”, tha ai sot për RTV21.

Hovenier i kërkon Qeverisë ta dërgojë Draftin në Kushtetuese

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier thotë se Qeveria e Kosovës duhet të iniciojë procesin e formimit të Asociacionit.

Hapi i parë – tha Hovenier në një bashkëbisedim me gazetarë para pak ditësh – është që ta ‘dërgojë Draftin në në Kushtetuese.

“Hapi i parë është që ta përcjellim statutin, që tashmë e kemi, në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim dhe konfirmim”, tha ai dhe shfaqi shpresën që diçka e tillë të ndodhë sa më shpejt.

“Do të merrej përgjigjja nëse [statuti] është kushtetues ose jo, a ka kompetenca ekzekutive apo jo... Ne mendojmë se këtë vlerësim mund ta japë vetëm Gjykata [Kushtetuese]. Kjo do të krijonte një dinamikë tjetër, si dhe përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur obligimet e saj”, tha Hovenier.

Sa i përket nënshkrimit të Marrëveshjes që në vazhdimësi e kërkon kryeministri Albin Kurti dhe e përsërit kryeparlamentari Konjufca sot, Hovenier para pak ditësh, tha se ‘qëndrimi amerikan është se marrëveshja është zyrtare dhe ligjërisht e obligueshme’.

Në këtë bisedë që pati Hovenier me disa gazetarë kosovarë (më 29 mars 2024), tha se ‘e di që Lajçak ka dhënë disa modalitete për zyrtarizimin e marrëveshjes’ – të cilat ‘do të ishin të kënaqshme për qeverinë e Kosovës’.

“Ajo që unë di është se ai (Lajcak) i ka dhënë qeverisë një sërë idesh apo opsionesh të tjera që ata të shqyrtojnë se si kjo gjë mund të zyrtarizohet në një mënyrë që të jetë më e kënaqshme për qeverinë e Kosovës, sepse jam i vetëdijshëm se ky është një shqetësim që kryeministri është ngritur shpesh, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Por unë mendoj se ju duhet t’i pyesni ata nëse ndonjë prej këtyre opsioneve është parë si i mjaftueshëm apo jo”, ka thënë Hovenier.

Para katër muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi në parim një draft-statut për formimin e këtij asociacioni, të cilin e hartoi Bashkimi Evropian. Ngjashëm e pranoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajme të ngjashme