Kica-Xhelili tregon se i kishte thënë Albulena Haxhiut se nuk “kontrollohet” Kushtetuesja: I kthente në personale - NACIONALE

Kica-Xhelili tregon se i kishte thënë Albulena Haxhiut se nuk “kontrollohet” Kushtetuesja: I kthente në personale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili, ka bërë një tjetër reagim në lidhje me deklaratat e ministres Albulena Haxhiu, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli si anti-kushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kica-Xhelili në postimin e saj ka thënë se ministrja nuk ka të drejtë ta komentojë përmbajtjen e vendimeve gjyqësore, aq më pak të Gjykatës Kushtetuese.

“Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se NUK KA TË DREJTË ta komentoj përmbajtjen e vendimeve gjyqësore e aq më pak Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e SAJ. As kjo Gjykatë e as kjo demokraci nuk janë krijuar falë Ministres Haxhiu, në fakt MË SË PAKU falë mendësisë që kjo shumicë po shpërfaq.” – ka shkruar ajo.

Kica-Xhelili tutje ka përmendur se ekziston edhe Rekomandimi i Këshillit të Evropës, se pushteti ekzekutiv nuk mund të “minojë pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor”.

“Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të shmangin kritikat që do të minonin pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor (…) përveç deklarimit të qëllimit të tyre për të apeluar/ankimuar.” – thuhet nga ky institucion.

Veç kësaj, deputetja ka bërë të ditur se “ia ka thënë këto” ministres Haxhiu, “privatisht e publikisht”.

Madje, në shkrimi ne saj ao ka thënë se ministrja i kishte kthyer në “personale” këto kritika.

“Kam provuar. Ia kam thënë të gjitha. Privatisht e publikisht. Sa herë kam bërë thirrje në këto rekomandime, këto standarde, e këto shtylla demokratike, ajo e ka kthyer në personale. Ajo, ose ata që i shërbejnë asaj. Kaq pres nga ajo. Kaq pres nga ata.” – ka thënë ajo.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese në një aktgjykim të publikuar të premten ka konfirmuar se e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial, kërkesën për vlerësimin e së cilit e kishin bërë dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Aktgjykimi sqaron që kërkesat e parashtruesve të kërkesës janë parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar. Në kontekst të praktikës së saj gjyqësore, siç është shtjelluar edhe në Aktgjykim, Gjykata vlerëson që marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.” – thuhet ndër të tjera në Aktgjykim.

Ndërkohë, ministrja Haxhiu në një konferencë për media e kishte quajtur “absurd” vendimin e Kushtetueses.

Është absurde se si Kushtetuesja e gjeti si ndikim të politikës, që në KPK të jetë një anëtar nga Avokati i Popullit, derisa Komisioni i Venecias këtë e ka konsideruar në raport me standardet ndërkombëtare. Pse Gjykatës Kushteutese ju deshën 9 muaj për të nxjerrë këtë Aktgjykim. Pse na morën 9 muaj? Pse iu nevoitën kaq shumë kohë?.” – kishte thënë ajo.

Haxhiu tha se nuk planifikon të jap dorëheqje, e se reagimet e opozitës për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe demokracisë, sipas saj janë për keqardhje.

“Për keqardhje reagimi i opozitës. Këmb e kokë këta e kanë kapur në të kaluarën sistemin e drejtësisë. Këta nuk kanë të drejt të flasin për reforma në drejtësi.” – kishte deklaruar ministrja e Drejtësisë.

Lajme të ngjashme