Kica-Xhelili: Kosova vend i rrezikshëm për gratë, kemi dështuar kolektivisht
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka thënë se Kosova është vend i rrezikshëm për gratë dhe se dështimi është kolektiv.
Në reagimin e saj pas vrasjes së një gruaje nga burri i saj në Pejë, ka kritikuar edhe pushtetin që nuk i përkrah propozimet e saj për mbrojtjen e grave.
“Pastaj, edhe diskutimet në Kuvend, madje dhe për çështje të mbrojtjes së grave, janë bërë politike. Kur unë rekomandoj buxhet shtesë për strehimore, dhe propozoj rezolutë për mbrojtje të grave, nuk i pranojnë sepse i propozoj UNË. I pengon emri im, si një grua që propozoj diçka për gratë. E pse të presim që të na marr dikush më seriozisht? Pse duhet burrat të hamendësohen nëse duhen ngritur dorë apo jo kur shteti tallet me idenë e mbrojtjes së gruas. 400 euro? Kaq paguhet lehtësisht dajaku. Kështu ka çmim edhe vdekja. Liridonës i dhanë çmim për të sajën.” – ka shkruar ndër të tjera ajo.
Shkrimi i plotë:
Të bërtasim derisa të na pëlcasë shpirti - prap s’bëjmë gjë.
Kosova është vend i rrezikshëm për vajzat dhe gratë. Kjo është fjalia më turpëruese dhe e vërtetë njëkohësisht.
Reagimet ‘simptomatike’ që i bëjmë sa herë ndodh EDHE një rast janë thuajse frymëzuese për dhunë shtesë - sepse ky është mesazhi që japim pavetëdijshëm. Se e përfunduam punën me kaq.
Komentet e përçudnuara i keni para vetes çdo ditë. Aty i keni dhunuesit dhe vrasësit potencial. A i merr ndokush në pyetje? Askush! Thirrjet për vrasje e urrejtje ndaj çdo gruaje me mendim të sajë, e “Zot mos e bjer” një gruaje që zgjedh të mos duroj dhunë emocionale e fizike, janë bërë përditshmëri.
Kur dhunuesi dënohet me 400 euro, e hajni me 2 vite burg, jeta e gruas bëhet aq. Më e lirë se një stoli e vjedhur. Asgjë e re.
Pastaj, edhe diskutimet në Kuvend, madje dhe për çështje të mbrojtjes së grave, janë bërë politike. Kur unë rekomandoj buxhet shtesë për strehimore, dhe propozoj rezolutë për mbrojtje të grave, nuk i pranojnë sepse i propozoj UNË. I pengon emri im, si një grua që propozoj diçka për gratë. E pse të presim që të na marr dikush më seriozisht? Pse duhet burrat të hamendësohen nëse duhen ngritur dorë apo jo kur shteti tallet me idenë e mbrojtjes së gruas. 400 euro? Kaq paguhet lehtësisht dajaku. Kështu ka çmim edhe vdekja. Liridonës i dhanë çmim për të sajën.
Prandaj as unë s’mund të shes më dramë duke treguar sa e tronditur jam. Nuk mund të tronditesh sistematikisht e as nuk mund ta relativizosh tronditjen me një “bërtimë” momenti kur je në rolin tim.
Nëse nuk zgjohem çdo ditë me një ide shtesë se si t’a përçaj tejpërtej frymëmarrjen e lirshme mizogjene në Kosovë, atëherë kot flas sot.
Fjalët tona as nuk i kthejnë në jetë e as ndalin vrasjen e Gjyljetave tona.
E derisa ta gjej rrugën për një copë ndryshim të vajzave dhe grave, as unë s’kam pse flas për tronditje. Deri në Rezolutën e radhës që mund ta refuzojnë sërish? Ndoshta. Nuk e di! Por një rrugë do ta gjejmë!
Deri këtu, kemi dështuar kolektivisht.