KFOR: S’kemi qenë në zonën ku tre policët u arrestuan, jemi në kontakt me Kosovën e Serbinë
Misioni i KFOR-it është deklaruar në lidhje me kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga Serbia, ngjarje që ndodhi dje.
Në një përgjigje për Nacionalen, KFOR-i ka deklaruar se nuk ka qenë në zonën ku janë “arrestuar” tre policët.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO, nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë. KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX.” – thuhet në përgjigjen e tyre.
Tutje, KFOR-i u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet menjëherë.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm.” – thuhet tutje.