KFOR-i largoi barrikadat, sulmet në veri e uniformat – çka tha Sveçla në Komision?
Raportimi i Ministrit të Punëve të Brendshme para Komisionit për Siguri, Xhelal Sveçla, ishte mjaft i ngjeshur. Ai u përball me një mori pytjesh e lëvdatash, kryesisht nga bashkëpartiakët, dhe vlerësime jo të kënaqshme nga deputetët opozitarë.
Deputeti i AAK-së, dhe kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, fillimisht e pyti ministrin Sveçla, se kur do të arrestohen oligarkët, sepse Vetëvendosje ka qenë e zëshme para se të vinte në pushtet. Ai ka thënë që shpreson që qeverisa Kurti nuk do të mjaftohet me disa arrestime të policëve të zakonshëm. Ndërsa ministri, deklaroi se janë të interesuar në këtë çështje, “ata që duhet t’i arrestojnë oligarkët, po arrestohet vetë për afera të ndryshme”.
Gjatë raportimit, në lidhje më sulmet e kohëve të fundit, Sveçla ka pohuar se sulmet e fundit ndaj policisë së Kosovës, në veri të vendit, kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe pengimin e shtrirjes së ligjshmërisë në atë pjesë të territorit të Kosovës.
Në këtë raportim, brenda Komisionit për Siguri, ministri në fjalë deklaroi se, brenda 10 ditësh, kanë ndodhur 6 sulme ndaj policisë së Kosovë, në atë zonë.
Më tutje ai shtoi se këto sulme po ndodhin për shkakun se policia e Kosovës tashmë ka bllokuar disa rrugë kontrabanduese. Më këtë ai përfundoi se aktivitetet hetuese të policisë së Kosovës në atë zonë për zbulimin e autorëve të këtyre sulmeve janë intensifikuar.
Një pjesë e rëndësishme e raportimit, ishte në përgjigjet ndaj deputetit të Listës Srpska. Ndonëse është raportuar, se KFOR, së bashku me policinë e Kosovës, po hapin rrugët e mbyllura nga policia e Kosovës, disa ditë më parë, ministri mohoi kategorikisht se kjo do të ndodhë. Sipas tij, në këtë temë nuk do të ketë alternativë. Policia e Kosovës është e vendosur që të mos lejojë asnjë rrugë ilegale kontrabanduese atje.
“Në atë zonë nuk ka rrugë alternative por rrugë ilegale. Midis dy shteteve nuk mund të ketë rrugë alternative pa marrëveshje të saktë midis dy vendeve. Policia ka hapur pengesa që rrugëve që janë hapur ilegalisht t'u pamundësohet të funksionojnë si rrugë ilegale. Kemi dy kalime kufitare zyrtare. Ato janë Bërnjaku dhe Jarinja. Kemi edhe një iniciativë të institucioneve tona që të hapet edhe rruga e tretë e ashtuquajtura rrugë e Izvorit. Nuk ka gatishmëri nga Republika e Serbisë që kjo të realizohet. Jam i gatshëm që të hapim sado pika kufitare që të jetë e nevojshme, por kjo duhet të bëhet bazuar në marrëveshje mes dy vendeve”, ka thënë Sveçla.
Ministri ka folur edhe për çështjen e uniformave të Policisë.
“Policia e Kosovës ballafaqohet me vështirësi të mëdha, shpesh të paarsyeshme. Sa i përket uniformave, armatimit, shumë nga këto kanë rrjedhur si pasojë e OSHP-së. Unë shpresoj që shpejt OSHP-ja do të zhbllokohet”, ka thënë Sveçla, pas kritikave të deputetit të AAK-së, Bekë Berisha lidhur me këtë.
Ministri më pas shpjegoi se, sipas planit të tyre të punës, ligji për pensionim të parakohshëm të zyratëve policorë, do të jetë i përfunduar, më së largu pas tri vitesh, do të thotë, deri në fundin e mandatit të qeverisë Kurti.
Një nga pytjet të cilave ministri u është përgjigjur, është edhe mungesa e komuniteteve tjera jo-shumicë, përveç atij serb, në policinë e Kosovës. Sipas tij, janë orginzuar trajnime për këto komunitete, në mënyrë që edhe ata të plotësojne kriteret rekrutuese të institucionit të policisë, mirëpo që në fund po rezultojnë të pafrytshme, sepse numri i anëtarëve nga këto komunitete po mbetet i ulët. Sveçla përfundoi se: “duhet të gjenden mënyra shtesë, që të rritet përfaqësimi”.
Ministri, vazhdueshëm pohoi, se ndjekjet e personave ne atë zonë do të bëhen vetëm mbi bazë faktesh, pa paragjykime etnike. Ai tha, se ne nuk i dimë sulmuesit e policisë akoma, por krijuesin e kësaj klime tensiounuese e dimë. Sipas tij, është vetë deklarimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se mallrat do të kontrabandohen ndryshe, që krijon klimën në të cilën sulmohen policët e Kosovës.
Krejt në fund, ai polemizoi me deputetin nga rradhët e PDK-së dhe ish-drejtorin e policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Ky i fundit paraqiti të dhëna, të cilat tregojnë aktivitet më të lartë të policisë gjatë vitit 2019, sesa gjatë vitit 2021. Ministri Sveçla, deklaroi se sikurse në vitin 2020, edhe viti 2021 ishte shoqëruar me pandemi.
Po ashtu, ministri u kritikua nga deputeti Qalaj, për marrje pjesë në dhomën komanduese të policisë, që e cila sipas deputetit Qalaj nuk lejohet, sipas ligjeve ekzistuese, sepse ato janë çështje operacionale të policisë.