Këto janë pikat e plota të ekspertizës për rastin Dehari, që po i kërkon zëshëm VV-ja
Është ashpërsuar dukshëm gjuha e eksponentëve të pushtetit ndaj Prokurorisë Speciale të Kosovës. Kjo pasi këta të fundit, publikuan dy nga të gjeturat kryesore të ekspertizës nga Instituti Zviceran për vdekjen e Astrit Deharit.
Në gjetjet e Prokurorisë Speciale thuhej: “Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton: Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari. Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë e kafeinës dhe mos prani të etanolit.”
REAGIMET E PUSHTETIT
Megjithatë, të ashpër me këto gjetje ishin ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e së fundmi edhe ai i brendshëm, Xhelal Sveçla. Që të dy kritikuan Prokurorinë Speciale, duke thënë se ata nuk i publikuan 5 pikat e plota të ekspertizës nga Instituti Zviceran.
“Pas më shumë se 5 vitesh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht joprofesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje! Ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale publikon 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato”, thuhet në komunikatën e MD-së.
“Prokuroria Speciale, para pak ditësh nxitoi për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari. Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e japë të vërtetën e plotë. Kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës”, reagoi Xhelal Sveçla.
PIKAT E PLOTA
Megjithatë, raporti i plotë i Institutit të Zvicrës, është pubikuar ditë më parë në portalin Paparaci. Aty zbardhen në detaje pesë gjetjet kryesore të Institutit Zviceran për ekspertizën në rastin Dehari.
Këto janë pa ndërhyrje pesë gjetjet e plota të Institutit, që Vetëvendosje po i kërkon me ngulm:
Në bazë të të gjitha elementeve që kishim në dispozicion dhe pas analizave të kryera nga laboratoret e QURML dhe Shkollës së Shkencave Kriminologjike mund t’i nxjerrim këto konkluzione:
- Analizat e ADN-së të ndërmarra mbi objektet që kanë qenë në kontakt me viktimën në një moment të afërt me vdekjen (brisk roje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpcuash dhe një pjesë metali), nuk kanë treguar profil ADN tjetër përveçse atij të z. Astrit Deharit.
- Ekzaminimi i fotografive të objekteve ka treguar se nuk është nxjerrë asnjë gjurmë e gishtave që ka mundur të përdoret. Gjithashtu, ekzaminimi i objekteve fizike (shishja e plastikës, brisk rroje, stilopalsi i lidhur me lidhësen e këpucëve, dhe pjesta e metaltë) kanë treguar se tentativa të reja për të gjetur gjurmë të gishtave në këto objekte nuk ishin relevante.
- Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut perfierik të Astrit Deharit kanë treguar praninë e metabolitit të kafeinës dhe mosprani të etanolit.
- Nuk rekomandojmë analiza plotësuese në fushën e gjenetikës të daktiloskopisë dhe të toksikologjisë.
- Trupi i të ndjerit përbën provën më të rëndësishme, por edhe provën e cila më së paku është përdorur. E vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do t’ishte të riekzaminohet trupi pas një exhumimi (zhvarrosje). Megjithatë, duke pasur parasysh sa kohë ka kaluar dhe sa e rëndë është kjo masë, nuk e rekomandojmë.
Materiali i cili i është vënë në dispozicion të QURML do të ruhet duke pritur udhëtime të reja nga Prokuroria.
