Këshilltarja e Osmanit: Mbrëmë vonë iu ofrua që të garojë për presidente, VV na e kumtoi se e sheh si instrument
Meliza Haradinaj, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, ka zbuluar detaje të reja rreth prapaskenave për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ajo ka thënë se mbrëmë për herë të parë Lëvizja Vetëvendosje i ka ofruar Osmanit që të hyjë në garë për presidente. Kjo, sipas saj, që ajo të jetë kundërkandidate e Glauk Konjufcës.
“Mbrëmë vonë për herë të parë i është ofruar Presidentes që të jetë kundërkandidate e Glaukut, jo përkrahje për rizgjedhje. Pra, për motive të përmbushjes së kriterit, e asnjëherë nuk i është ofruar përkrahje për rizgjedhje. Përkundër faktit që Presidentja iu ka thënë se nuk ka kuptim të dalë kundër Glaukut, sepse ne kemi qenë aleatë e bashkëpunëtorë, dhe po ashtu Presidentja ka një respekt të veçantë për ministrin tash të Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe pavarësisht kësaj, asaj nuk i është ofruar mbështetja me votë, dhe ne nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje për mbështetje në votë, as nga kryeministri Kurti e as nga bashkëpunëtorët e tij. Kjo është e vërteta”, deklaroi Haradinaj.
Ajo ka theksuar se VV sonte tregoi se nuk e shohin presidenten si bashkëpunëtore, por si instrument për plotësuar kriter të kuorumit.
“Lajmi i keq që na e kumtoi sonte LVV-ja, është se ata nuk e shohin presidenten Osmani si bashkëpunëtore të tyre, si aleate e si kandidate për presidente, për t’u rizgjedhur, por e shohin vetëm si një instrument për të plotësuar një kriter të kuorumit. Por, kjo nuk do t’iu ofrohet”, ka thënë ajo.