Këshilli Prokurorial nga takimi i jashtëzakonshëm: Duhet analizë dhe vlerësim, pastaj shqyrtohen dorëheqjet e serbëve - NACIONALE

Këshilli Prokurorial nga takimi i jashtëzakonshëm: Duhet analizë dhe vlerësim, pastaj shqyrtohen dorëheqjet e serbëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Në Prokurorinë e Mitrovicës së Veriut kanë dhënë dorëheqje, 10 prokurorë, si dhe staf tjetër administrativ.

Këshilli që e ka në diskrecion, të shqyrtojë këto dorëheqje, dhe të gjejë zgjidhje, pas takimit të sotëm, tha se i duhet kohë ende, për t’a analizuar situatën

Komunikata e plotë e Këshillit Prokurorial, për gjendjen e Prokurorisë në Mitrovicën e Veriut

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, në të cilin kanë marrë pjesë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi, ai i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky takim ka filluar me diskutimet lidhur me situatën e krijuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas ofrimit të dorëheqjes nga prokurorët dhe stafi administrativ i komunitetit serb. Me këtë rast, anëtarët e Këshillit kanë kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Sekretariati i Këshillit Prokurorial që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si njësi kompetente në kuadër të sistemit prokurorial të marrin masat e nevojshme dhe të paraqesin në Këshill propozimet konkrete për mirëfunksionimin e punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial nuk u lëshua në shqyrtimin e dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi administrativ, ngase paraprakisht nevojitet një analizë dhe vlerësim i gjendjes së krijuar nga organet kompetente lidhur me përgjegjësit eventualë që kanë shkaktuar këtë gjendje.

Në fund të diskutimit për gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, anëtarët e Këshillit, thanë se mbetën të përkushtuar për koordinimin e veprimeve me institucionet e tjera, me qëllim të mbarëvajtjes së punëve pa ndërprerje në këtë prokurori, por edhe të funksionimit të një ambienti të sigurt juridik në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Nga organet kompetente të Kosovës u kërkua të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicën Veriore.

Lajme të ngjashme