Këshilli Evropian e përshëndet marrëveshjen Ohrit: Kosova e Serbia ta zbatojnë në mirëbesim
Joseph Borrell, shef i diplomacisë së Bashkimit Evropian, ka mbajtur një “raportim” në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në Këshillin Evropian. Në mbledhjen e 23 marsit, z. Borrell foli më saktësisht për marrëveshjen e Ohrit, me të cilën u dakorduan Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.
Borrell, në cilësin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, foli para shefave të shteteve anëtare të BE-së për marrëveshjen evropiane, të cilën e ka përshëndetur e përkrahur edhe ShBA-ja. Në përfundimet e mbledhjes së Këshillit Evropian, që janë publikuar tashmë, thuhet se ky institucion e mirëpret marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Tutje, KE-ja u bën thirrje Kosovës e Serbisë që të zbatojnë me mirëmbesim marrëveshjen e dakorduar, por jo të nënshkruar.
“Këshilli Evropian mirëpret Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Zbatimit të saj, të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë, si pjesë integrale e rrugës së tyre europiane dhe u bën thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me lehtësi dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në përfundimet e publikuara në faqen zyrtare të BE-së.
Ankesat…
Përkundër që nuk kanë kaluar ende një javë nga dakordimi në Ohër, tashmë ankesat në lidhje me thyerjen e marrëveshjes kanë filluar. Madje, në një postim në Tëitter, z. Kurti theksoi edhe oferten “bujare” të tij, që ia kishte dhënë Serbisë në lidhje me vetëmenaxhimin.
“Pasi refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se të refuzonte përsëri të nënshkruante Aneksin e 18 marsit, presidenti i Serbisë kishte refuzuar ofertën time gjeneroze për vetëmenaxhimin e serbëve, në një asociacion që e kisha draftuar dhe propozuar. A është ai Dr. No apo Z. Nyet? Epo, e dimë që nuk është doktor,” – ka thënë z. Kurti, i cili e ka akuzar Vuçiqin për thyerjen e marrëveshjes.
Ndërsa presidenti Vuçiq ka deklaruar ditë më parë se Serbia “nuk kishte përdorur asnjëherë hile” dhe se do të zbatonte atë që kishte thënë se do të zbatonte. Tutje, shefi i Serbisë e ka quajtur marrëveshjen e Ohrtit si ligjërisht të obligueshme pavarësisht që nuk e kishte nënshkruar.
“Ky është mesazhi im për krejt ata që kanë folur për këtë çështje. Për dallim prej të gjithë atyre, ne nuk kemi përdorur kurrë hile. Ajo çfarë kam thënë në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë, dhe asaj se çfarë kam thënë në Ohër, e në Bruksel dhe ajo çka i kam thënë pesëshes (së emisarëve ndërkombëtarë) në Beograd, e përsëris çdo ditë.” – ka deklaruar Vuçiq.
Këtyre ankesave u është përgjigjur vetë Borrell, i cili vlerësoi se përpjekjet për të vënë në pikëpyetje marrëveshjen e Ohrit janë të kota.
“Sa u përket takimit dhe marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, më lejoni të them që çfarëdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje marrëveshjen, është e kotë. Për marrëveshjen është bërë pajtueshmëri, duhet të zbatohet dhe nuk ka hapësirë për të zgjedhur e për të kapur” – deklaroi ai.
Shefi i diplomacisë së BE-së i këshilloi Kurtin e Vuçiqin të mos bëjnë me shenjë nga askush, port ë bëjnë punën e tyre.
“Është një tërësi, duhet të zbatohet në të gjitha pjesët, në mënyrë të plotë dhe ne do të përcjellim për së afërmi se kush është duke e zbatuar e kush jo dhe unë do t’i këshilloja ata që të mos bëjnë me shenjë nga askush, por ta bëjnë punën e tyre” – tha ai.

