Kërkohet formimi i Grupit të Unitetit për dialogun me Serbinë - NACIONALE

Kërkohet formimi i Grupit të Unitetit për dialogun me Serbinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, konsensusi nacional në mes të pozitës dhe opozitës po shihet si shumë i nevojshëm. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë bërë me dije se kjo mund të arrihet përmes formimit të një Grupi të Unitetit për dialog, ku do të përfshiheshin përfaqësuesit e partive politike dhe ata të shoqërisë civile. Sipas tyre, ky forum duhet të jetë joformal.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile e kanë vlerësuar si të nevojshëm formimin e Grupit të Unitetit për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se unifikimi i spektrit politik rreth kësaj çështje do të forconte pozicionin e Kosovës në Bruksel.

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka thënë se po të mos formohej një grupi i tillë në vitin 2005 nuk do të mund të shpallej as pavarësia e Kosovës.

“Një gjë është e qartë, dhe kjo është se asnjë parti në Kosovë, pa marrë parasysh fuqinë politike, nuk ka guxim që si e vetme, apo si koalicion qeveritar ta marrë barrën për nënshkrimin e një marrëveshjeje finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Po të mos e kishim formuar Grupin e Unitetit në vitin 2005, për shkak të përçarjeve të brendshme, shumë lehtë Kosova do të kishte mbetur edhe pa e shpallur pavarësinë, për shkak se partitë opozitare në atë kohë do të mund të mos e pranonin rezultatin e negociatave në Vjenë”, ka shkruar Peci në profilin e tij në Facebok.

Sipas tij, kanë kaluar 17 vjet, por partitë politike nuk kanë ndryshuar në mentalitetin e tyre politik.

“Këtë kemi mundur ta shohim edhe me rastin e nënshkrimit te Marrëveshjes se Washingtonit, ku për pak se nuk kolapsoi edhe qeveria e asokohshme për shkak të problemeve te kësaj natyre. Duke e pasur parasysh këtë gjendje, është e domosdoshme që të shikohemi drejtë në sy dhe ta pranojmë këtë fakt, e të ecim përpara me formimin e një Grupi te Unitetit te partive politike që nuk do të nënkuptonte edhe devalvimin e përgjegjësive të institucioneve shtetërore”, ka vlerësuar Peci.

Edhe Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova ka nevojë për një konsensus nacional për këtë çështje.

Sipas saj, një grup i tillë nuk duhet të përfshijë vetëm përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës.

“Në rast të krijimit të një Grupi të Unitetit, ai do të duhej të përbehej jo vetëm nga përfaqësues të pozitës dhe opozitës, por edhe më gjerë, duke përfshirë edhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe Akademia. Në një proces siç është dialogu me Serbinë sa më shumë që ka bashkëpunim dhe kontribut të përbashkët, forcohet pozicioni i Kosovës në këtë proces. Natyrisht që pjesëmarrja në vendime mund të përkthehet pastaj edhe në mbështetje për marrëveshjet eventuale”, ka thënë ajo për Nacionalen.

Kurse hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbër Fetahu, ka thënë se konsensusi nacional duhet t’i paraprijë marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Një gjë është e qartë që konsensusi duhet t’i paraprijë marrëveshjes finale. Vetëm një shumicë e 2/3-ve e ka legjitimitetin që të vendosë për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Kjo për arsye se dialogu nuk është çështje e vetëm një partie politike, por obligim shtetëror që përfshin gjithë shoqërinë dhe medoemos të gjithë klasën politike. Uniteti në dialog e përforcon pozitën e Kosovës në tavolinën e bisedimeve, pasi që edhe përballja me Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar është më e lehtë kur kasta politike e ka një qasje përbashkuese kundrejt dialogut”, ka thënë Fetahu.

Ai ka treguar se përgjegjësinë kryesore për arritjen e një konsensusi e ka Qeveria e Kosovës.

“Përafrimin për unitet dhe konsensus politik në tema për dhe rreth dialogut e ka për detyrim që ta gjejë Qeveria, respektivisht partia në pushtet, pasi që ajo e bart peshën kryesore politike dhe përgjegjësinë për këtë proces. Në gjykimin tonë uniteti duhet të arrihet në Kuvend si instanca më e lartë e politikëbërjes në vend. Forume të tjera mund të përdoren si lehtësueses për arritjen e konsensusit, por debati dhe konfirmimi i uniteti politik në Kuvend mbetet i patejkalueshëm”, është shprehur Fetahu.

Grupi i Unitetit duhet të jetë joformal

Monitoruesit e procesit të dialogut kanë bërë me dije për gaztën Nacionale se Grupi i Unitetit për dialog duhet të jetë vetëm joformal.

Sipas tyre, ai mekanizëm nuk duhet të ketë kompetenca të institucioneve shtetërore.

Hulumtuesja e KDI-së, Violeta Haxholli, ka treguar se Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë kompetencat e Kosovës në këtë fushë.

“Si KDI në vazhdimësi kemi përsëritur që për dialogun me Serbinë si temë që prek interesin nacional është i nevojshëm krijimi i një konsensusi nacional mes spektrit politik por edhe më gjerë. Natyrisht që një Grup i Unitetit në rast se krijohet mund të jetë vetëm joformal pasi Kushtetuta e vendit i përcakton qartë kompetencat e institucioneve shtetërore në politikën e jashtme”, ka thënë ajo.

Ndërsa Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se një grup sikurse ai që ka qenë në negociatat e Vjenës nuk është i nevojshëm.

“Marrë parasysh kontekstin aktual, vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e delegacionit për dialog të vitit 2019, konsiderojmë që një grup i unitetit në formën klasike siç ka qenë për negociatat e Vjenës, nuk është i nevojshëm. I takon Qeverisë, në këtë rast kryeministrit si kryenegociator që ta bartë procesin para në bazë të kompetencave që ja përcakton Kushtetuta. Megjithatë, kryeministri dhe Qeveria duhet të jenë transparentë për qasjen në dialog, strategjinë, si dhe për pikat që mëton t’i shtyjë para”, ka thënë Fetahu.

Sipas tij, moskrijimi i një grupi të unitetit nuk e përligj idenë dhe mundësinë e unitetit dhe konsensusit politik në Kuvend dhe më gjerë.

“Uniteti është i patejkalueshëm për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por pajtueshmëria duhet të arrihet në Kuvend, dhe procesi të udhëhiqet nga Qeveria. Kjo nuk do të përbënte anashkalim të opozitës, dhe nuk do të duhej të kuptohej si e tillë. Ideja e grupit të unitetit duhet të shtjellohet nëse mekanizmat tjerë nuk funksionojnë dhe nëse opozita e sheh të domosdoshëm unitetin përmes këtij grupi. Përndryshe, ideja e grupit të unitetit ka qenë e nevojshme për negociata për statusin e Kosovës. Ndonëse dialogu me Serbinë është proces tejet i rëndësishëm, nga ky proces nuk varet statusi i Kosovës siç ka qenë rasti me 2008”, është shprehur ai.

Në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte themeluar me ligj një ekip negociator për dialogun me Serbinë.

Por, një gjë e tillë ishte kritikuar nga opozita e atëhershme, LV-ja dhe LDK-ja, të cilat çështjen e kishin dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

Më pas, Kushtetuesja e shpalli jokushtetues ligjin dhe delegacionin shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, i cili ishte miratuar në dhjetor të vitit 2018.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ishte thënë se Ligji për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, është i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës.

"Delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit", është thënë në aktgjykimin e Kushtetueses.

Lajme të ngjashme