Kërkesa e MPJD-së për organizimin e zgjedhjeve në diasporë, shoqëria civile e shqetësuar: Po tentohet manipulimi i zgjedhjeve
Shoqëria civile është shprehur e shqetësuar me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për t`i marrë kompetencat për organizimin dhe administrimit e zgjedhjeve jashtë Kosovës.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile ka bërë me dije se Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të MPJD-së dhe KQZ-së, të cilin e ka publikuar gazeta Nacionale, është tentativë për të manipuluar votat e diasporës.
Ata kanë bërë me dije se kjo tendencë e MPJD-së është kundërligjore dhe kundërshtuese.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhje e Përgjithshme në mënyrë të saktë përcakton kompetencat e KQZ-së.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se KQZ-ja nuk guxon që mandatin për organizimin e zgjedhjeve të ia delegojë një institucioni tjetër.
“Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet e përcakton në mënyrë taksative se KQZ është institucion i pavarur kushtetues, përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. Në këtë drejtim KQZ nuk mundet dhe nuk guxon në asnjë rrethanë që këtë kompetencë kushtetuese të ia delegoj apo transferoj ndonjë institucioni apo pushteti ekzekutiv, pasi do të cenonte integritetin e procesit zgjedhor”, ka thënë Miftaraj.
Ai ka bërë me dije se nëse një gjë e tillë ndodh, pas procesit zgjedhor, votat e tilla mund të anulohen nga Gjykata Supreme.
“Për më tepër KQZ dhe partia ne pushtet duhet të dinë se në qoftë se kjo finalizohet dhe zbatohet në praktike, në rast të ndonjë ankese nga subjektet politike të gjitha votat e administruara në diasporë mund të shpallen të pavlefshme nga Gjykata Supreme”, është shprehur Miftari.
Kurse, drejtor ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare “Çohu!”, Artan Demhasaj, ka deklaruar se memorandumi është tendencë e pastër për të manipuluar votat e diasporës.
“Katër vite të dështuara të MPJD-së, pa asnjë njohje, pa asnjë anëtarësim, pa asnjë rezultat. Në këtë dështim tektonik përballë detyrës, për ironi, suksesi i vetëm i Donika Gërvallës është fasadimi i objektit të ministrisë! Por, për t’i dhënë vulën, tani në fund të mandatit, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me legjislacionin zgjedhor të vendit, po tentohet manipulimi i zgjedhjeve me memorandum për organizimin e zgjedhjeve në diasporë!”, ka thënë ai, duhet shtuar se tendenca për manipulimin e zgjedhjeve duhet të ndalohet.
“Vetëm KQZ-ja organizon zgjedhje. Jo manipulimi i zgjedhjeve. Jo manipulimi i diasporës”, ka thënë Demhasaj për gazetën Nacionale.
MPJD-ja me memorandum ia kërkon KQZ-së kompetencat
Gazeta Nacionale këtë javë e ka publikuar të plotë Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të MPJD-së dhe KQZ-së, ku ministrja e drejtuar nga Donika Gërvalla ka kërkuar kompetencat për organizmin dhe administrimin e procesit zgjedhor jashtë vendit.
Përmbajtja e këtij memorandumi e paraqet hapur tendencën e Qeverisë Kurti për të ndërhyrë në procesin e organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve në një segment kryesor të saj, siç është votimi jashtë Kosovës.
Në hyrje te Memorandumit të Bashkëpunimit, MPJD-ja i tregon qëllimet që dëshiron t`i arrijë.
Në nenin 1, ministria e Gërvallës kërkon që të këtë bashkëpunim me KQZ-në për administrimin dhe organizimin e zgjedhjeve në diasporë.
“Ky memorandum i bashkëpunimit synon: të sigurojë një strukturë të qartë bashkëpunimi ndërmjet palëve në organizimin dhe administrimin e të gjitha formave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit në Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2025 në përfaqësitë diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e parë.
Në nenin 2 të memorandumit të shkruar nga MPJD-ja, ky institucion qeveritar i ka caktuar vetes detyra me të cilat nuk ngarkohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Pika më shqetësuese e këtij neni është ajo 1.3, ku MPJD-ja ia cakton vetes kompetencat që nuk i takojnë.
“Të sigurojë hapësira të përshtatshme për zhvillimin e procesit zgjedhor, në përputhje me të drejtën e aplikueshme ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor”, thuhet në këtë pikë.
Kjo “detyrë” nuk i është dhënë askund MPJD-së në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Pasi në nenin 2 MPJD-ja i ka caktuar vetes detyra jashtë ligjit, kjo ministri është kujdesur që në pjesën e dytë të tij ta reduktojë rolin e KQZ-së në rol krejtësisht logjistik.
Sipas dokumentit, roli i KQZ-së mbetet në mbulimin e shpenzimeve dhe për çështje teknike.
Askund në këtë dokument nuk thuhet se KQZ-ja është institucioni që e organizon procesin zgjedhor jashtë vendit.
Memorandumi në fjalë është kritikuar edhe nga partitë opozitare.
Opozita ka vlerësuar për herë të parë në Kosovë një qeveri po tenton të ndërhyjë në punën e një institucioni të pavarur kushtetues.