Keqkuptim apo diçka më shumë? Lufta e çuditshme mes LDK-së e PSD-së
Një luftë politike e papritur dhe në dukje e pakuptueshme ka shpërthyer ditëve të fundit mes dy partive opozitare, LDK e PSD. Për çka saktësisht bëhet fjalë?
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Social-Demokrate duken dy partitë më aktive opozitare kundër Kurtit. Megjithatë, këto dy parti kanë dallime të mëdha ideologjike dhe edhe për mënyrën se si i shohin disa prej zhvillimeve të fundit politike në Kosovë.
Kjo duket se i dha lëndë djegëse një sherri që ka nisur së fundi e që në mes ka edhe dy kryetarët e partive, Lumir Abdixhikun dhe Dardan Molliqajn.
Ishte Molliqaj i pari ai që e bëri të dukshme këtë luftë politike. Ai i reagoi kryetarit të LDK-së për një intervistë me ton qortues dhe fjali të ashpra që kishin tendencë të kalonin edhe në nivel personal.
“Bëje Asociacionin Albin!” – po thotë Lumiri. Shihe logjikën: e jap këshillën unë, ia hapi rrugën këtij, e bëj edhe një plus kah Dragodani... Duket se kompleksi “arsyeton” gjithfarë absurdi.” – shkroi ai mes fjalësh tjera të rënda.
Por, çka kishte thënë Abdixhiku fillimisht?
Përveç fjalëve për Asociacionin – e të cilat nuk ishin rrugëhapëse ndaj Kurtit siç pretendon Molliqaj – Abdixhiku duket se i mëshoi edhe partive tjera opozitare me anë të një fjalie.
“Ne jemi parti të ndryshme. LDK-ja nuk ka lidhje me PDK-në e AAK-në. Aq më pak me parti tjera joparlamentare...” – tha ai në intervistë i pyetur nëse ishte në favor të krijimit të një fronti të përbashkët opozitar.
PSD-ja është parti joparlamentare dhe “aq më pak” duket se ka shkaktuar dhimbje të kryetari dhe aktivistët e saj. Por, megjithatë duket se ata ia kanë huqur kontekstit. Abdixhiku është pyetur për një ide të dhënë nga Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Social-Demokrate – parti që po ashtu është joparlamentare. Logjikisht, Abdixhiku mund ta ketë menduar pikërisht Nismën e Limaj kur u shpreh me “aq më pak (nuk kemi lidhje) me parti tjera joparlamentare...”
Por, përplasjet mes këtyre dy partive vazhduan edhe dje.
Aktivisti i PSD-së Bardh Ahmeti u shpreh se kryetari i LDK-së po shndërrohej në “shërbëtor të pushtetit” ndërsa kryetari i të rinjve të LDK-së do të shprehej që Abdixhiku ishte “makth i pozitës e i opozitës”.
Duhet kujtuar se pikërisht javën e kaluar, një ish-aktiviste e PSD-së e quajtur Shqipe Pantina kaloi pikërisht në LDK-në e Abdixhikut. Megjithatë, duhet potencuar se znj. Pantina kishte kaluar një periudhë si analiste televizive jashtë politikës dhe PSD-së.
