‘Kënaqësi të bashkëudhëtojmë’: Sot e kritikoi ashpër, si na njoftonte Osmani bashkëpunimin me Gërvallen?
Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ishin bashkëudhëtare. Donika Gërvalla – Schwarz iu bashkua Vjosa Osmanit në Listën Guxo. Nga koalicioni me Vetëvendosjen, kjo e para doli kryediplomate, e e dyta presidente.
Sot për herë të parë, kryetarja e shtetit pati kritika për Donika Gërvallen, e cila tashmë e udhëheq edhe partinë që e themeloi Vjosa Osmani.
Krejt kjo ka të bëjë me letrën që Gërvalla ia ka nisur para pak ditësh Këshillit të Evropës, ku zotohej se Qeveria Kurti do ta hartojë një draft statut për Asociacionin dhe se të njëjtin, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
Për këtë, presidentja Osmani e ka bërë të ditur qartë se nuk ka qenë fare në dijeni.
Nervozën e saj me partnerët në koalicion e Gërvallen nga ish-partia e saj, Osmani e shfaqi haptas në një prononcim për “EO”, duke e kritikuar ashpër letrën e nisur për në KiE.
“Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i presidencës e të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të presidenca që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të githë për tema të rëndësisë kapitale sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes…” – ka thënë ajo.
Qysh e prezantonte bashkëpunimin me Gërvallen?
Më 29 janar të vitit 2021, Osmani kishte konfirmuar se Gërvalla do të jetë pjesë e listës Vjosa që garonte në zgjedhje bashkë me VV-në.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme të bashkëudhëtoj në këtë rrugëtim me Donika Gërvallën.” – kishte thënë ajo, derisa tregonte biografinë e Gërvallës.
“Pas dështimit të përpjekjeve për reforma të brendshme, në vitin 2018 jep dorëheqje dhe largohet përfundimisht nga LDK-ja. Donika është përfaqësuese nga Lista Vjosa e cila në këto zgjedhje garon bashkë me Lëvizjen VETËVENDOSJE!” – thuhej tutje.