“Kemi rritje të ndjeshme”, krahasimi i ‘shpërpjestuar’ i deputetit të VV-së për rritje të vendeve të punës
Deputeti i Vetëvendosjes, z. Armend Muja, është zyrtari i radhës i partisë në pushtet që këtë të dielë na prezantoi një grafik të Administratës Tatimore të Kosovës që krahason numrin e punëtorëve në Kosovë të regjistruar si tatimpagues përgjatë viteve. I apasionuar pas numrave, Muja ka bërë disa krahasime me Kosovën para dhe pas ardhjes së Kurtit në pushtet. E thënë thjeshtë, për një qytetar të rendomtë, postimi i zotit Muja padyshim të jep përshtypjen e një “pune të madhe” të pushtetit aktual në këtë drejtim. Përpjekjet për të proklamuar një imazh pozitiv në kontrast me qeveritë e mëparshme shpesh rezultuan në krahasime të shtrembëruara dhe të mbipërgjithësuara.Postimi i zotit Muja nuk bën përjashtim.
Duke u bazuar në një grafikon të ATK-së në të cilin paraqitet numri i të punësuarve në vitet e fundit, Muja tha se “në qershor 2023 kemi 405,887 vende pune të regjistruara në Administratën Tatimore, 63,206 më shumë se para ardhjes së Qeverisë Kurti II”
Ai e përdori këtë statistikë për t’u lavdëruar nën pretendimet se kjo ndodhi “përmes aktivitetit të shtuar ekonomik, formalizimit dhe incentivave strukturore”.
Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar edhe një herë qeverinë për propagandë, me arsyetimin se qeveria Kurti e ka sjellë rritjen ekonomike në 2 për qind në krahasim me 16 për qind kur e fituan mandatin.
"Propaganda nuk kalon! S'ka zhvillim ekonomik, ka ngecje, ka ikje masive të qytetarëve nga vendi. Me propoagandë nuk mund të ushqehen njerëzit.
Me 16% rritje ekononike e keni marrë mandatin, e keni sjellë në 2%. Ky graf është i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i publikuar para 2 ditëve." - ka shkruar ajo.
Sfidat në tregun e punës
Mes shumë sfidave që ballafaqohet ekonomia e vendit, tregu i punës vazhdon të mbetet një ndër problemet kyçe që vazhdimisht konsiderohet si pengues i zhvillimit nga raporte të ndryshme ndërkombëtare.
Ndonëse, në ndryshim nga vitet e mëparshme, shifrat e punësimit tregojnë rezultate më pozitive, treguesit realë për tregun e punës mbeten mjaftë shqetësues.
Sipas një raporti të Bankës Botërore “Përditësimi ekonomik i Evropës dhe Azisë Qendrore”, ndonëse rritja e punësimit gjatë vitit 2022 në Kosovë është inkurajuese, tregu i punës ende karakterizohet me dobësi të mëdha dhe pabarazi gjinore.
Aty më tej theksohet se vetëm një në tre kosovarë është i punësuar dhe rreth 60 për qind e popullsisë klasifikohet si joaktive.
“Rritja e punësimit gjatë vitit 2021 dhe rritjet formale në vitin 2022 janë inkurajuese; megjithatë, tregu i punës vazhdon të pasqyrojë dobësitë dhe pabarazitë gjinore, me vetëm një në tre kosovarë të punësuar dhe afërsisht 60 për qind të klasifikuar si joaktivë.” – thuhet mes tjerash në raport.
Krahasuar me vendet tjera, Kosova vazhdon të karakterizohet me një shkallë të lartë të papunësisë. Papunësia në Bashkimin Evropian në shkurt 2023 vlerësohet të jetë rreth 6.6 për qind. Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka një shkallë papunësia që është më shumë se dyfishi i eurozonës.
Pandemia e COVID-19 gjithashtu kishte ndikim të madh në tregun e punës në Kosovë. Miliona punëtorë humbën të ardhurat e tyre dhe ndikimi ishte veçanërisht i rëndë për ata që punonin në sektorin joformal.
Për Kosovën kjo ishte një goditje e madhe pasi ekonomia joformale mbetet një sfidë e vazhdueshme. Sipas vlerësimeve, rreth 35 për qind e të punësuarve në Kosovë konsiderohen të jenë pjesë e ekonomisë joformale.
Sipas raportit “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në vendet e punës” të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, “ndikimi krizës ka qenë veçanërisht i rëndë për punonjësit e ekonomisë informale, për të cilët qëndrimi në shtëpi do të thotë humbje e vendeve të punës”.
Ky fakt natyrshëm e bën edhe më të vështirë të kemi një pasqyrë reale të tregut të punës për sa i përket rritjes reale të punësimit pas periudhës post-pandemike.
Të ardhurat
Sa i përket pagave, bazuar në të dhënat e Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, paga mesatare në Kosovë mbetet më e vogla, madje duke mbetur prapa disa prej vendeve fqinje si Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas një hulumtimi të institutit GAP, mbi 100 mijë punëtorë në Kosovë paguhen me pagë minimale dhe 94 për qind e të prekurve nga rritja e pagës minimale janë punonjës të sektorit privat.
Nga ana tjetër, sipas matjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova klasifikohet si vendi më të varfër në Evropë në vitin 2023, bazuar në PBB-në për frymë, të cilat llogariten duke matur fuqinë blerëse.
Kosova renditet si shteti më i varfër në Evropë për vitin 2023 në këtë tregues, me një PBB për frymë prej 15 mijë e 619 dollarë ndërkombëtarë.
Kujtojmë se gjatë vitit 2022 Kosova është përballur me një inflacion që i ka tejkaluar nivelet e disa dekadave me çmimet e produkteve esenciale që shënuan rritje pothuajse të pakontrolluar si pasojë e presioneve të mëdha inflacioniste të shkaktuara nga prishja e zinxhirëve të furnizimit të shkaktuara nga në masë të madhe nga lufta e Rusisë në Ukrainë.