Këmbimi i pronave publike me ato private, kërkohet transparencë nga Komuna e Prishtinës
Raportimi për këmbimin e pronave publike nga Komuna e Prishtinës me dy pronarë privat ka nxitur reagime të shumta në vend.
Ndaj raportimi të “Kohës” ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
I pari i Prishtinës ka sqaruar se prona 8 hektarëshe e pronarëve privat, do të këmbehet me një pjesë të pronës rreth 20 hektarëshe.
Sipas tij, vendimi i asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe ashtu siç është raportuar në media,
“Gjatë ditës së djeshme është raportuar për një proces të këmbimit të një prone komunale me dy pronarë privat. Dua të sqaroj për qytetarët se vendimi për këmbim i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit, i cili vendim ka marrë edhe ligjshmërinë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e specifikon që prona 8 hektarëshe e pronarëve privat, do të këmbehet me një PJESË të pronës rreth 20 hektarëshe. Pra, vendimi i Asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe ashtu siç është keqraportuar në media”, ka shkruar Rama, duke dhënë detaje tjera.
“Këtë PJESË të vlerësimit të pronave, nuk e përcaktoj as unë si Kryetar e as Kuvendi i Kryeqytetit, por e përcakton Ministria e Financave në bazë të kritereve për vlerësim të pronave të definuara me legjislacion. Komuna e Prishtinës ashtu siç vepron në secilën procedurë të këmbimit të pronave, do ta bëjë ekzekutimin e vendimit në bazë të vlerësimit final që do ta marrë nga Ministria e Financave. Në fund, ju bëj thirrje medieve për raportim objektiv dhe korrekt dhe të shmangin keqinformimet e tilla, që duken se kanë tendencë negative, kundër qeverisjes në Kryeqytet”, ka shkruar ai.
Ky sqarim nuk i është dikur bindes, analisti Shenoll Muharremi, i cili ka kërkuar transparencë nga Komuna e Prishtinës.
Ai ka bërë me dije se kryetari Përparim Rama duhet të jep detaje të reja për këtë çështje.
Në profilin e tij në “Facebook” Muharremi ka shkruar se kjo jo çështje nuk duke do të kalohet lehtë.
“Në reagimin që e kishte bërë Rama i Prishtinës rreth shkëmbimit të pronës publike me private, nuk ishin sqaruar shumë gjëra thelbësore. Një përgjigje e ngushtë. Më së shumti ndoshta publikur mund të i interesoj, PSE është bërë shpronsimi. Cilat janë arsyet dhe arsyeshmeria. Cili është interesi publik i shkëmbimit? Në ndonjë rast, nëse ka arsye të forta, edhe 100 hektarë publikë munden me u ndru për 8h privat, mvarsisht nga specifikat, por këtu nuk ëshë sqaruar asgjë”, ka shkruar ai, duke kërkuar detaje shtesë.
“Sot ka qenë një rast i mirë me qenë transparent dhe me i hjek dyshimet e publikut rreth këtij rasti. Por një gjë e tillë nuk u bë. Kjo çështje nuk duket se do të harrohet e kalohet lehtë. Gjithashtu po e zbehë rëndësinë e takimeve nëpër komuna të partisë. Sa më shumë që mbahet sekret dhe nuk jepen sqarime, aq më e lartë mundet me qenë kostoja që mundet me u pagu nga menaxhmenti i komunës dhe partisë, nëse del në fund se kjo iniciativë nuk ka qenë në interes të publikut. Por nëse ka qenë në interes të publikut, pse mos me qenë transparent plotësisht? Në secilën scenario duhet më shumë sqarime”, ka shkruar Muharremi.
Kurse, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD, ka shkruar se Rama e VV-ja janë bërë bashkë “për gllabërimin e 20 hektarëve tokë të komunës së Prishtinës” në vlerë mbi 50 milionë euro.
“Perparim Rama dhe LVV paskan lidhur "koalicion për gllabërimin e 20 hektarëve tokë të komunës së Prishtinës" në vlerë mbi 50 milion Euro. 50 milion Euro toke e qytetarëve të Prishtinës, pa konsultim publik adekuat me qytetarët e Prishtinës për qytetarët e Prishtinës. Aferë korruptive në konflikt interesi, aferë korruptive në dëm të interesit publik dhe në dobi të interesave të ngushta bisnezore dhe partiake.”, ka shkruar ai.