Kelmendi: Kurti s’po flet se e di që s’ka fakte, po ua lë marrëzitë deputetëve të tij - NACIONALE

Kelmendi: Kurti s’po flet se e di që s’ka fakte, po ua lë marrëzitë deputetëve të tij

2 javë më parë

nga NACIONALE

Gazetari Adriatik Kelmendi ka komentuar heshtjen e Kurtit tash e sa javë, nga kur është bllokuar formimi i institucioneve.

Sipas tij, Kurti s’flet për media sepse e di që s’ka argumente, por siç thotë ai, marrëzitë ua ka lënë deputetëve të tij.

Kelmendi ka komentuar deklaratat e deputetes Haxhiu dhe deputetit Murati.

E plotë:

Së paku, Albin Kurti po e di që nuk e ka asnjë fakt për bllokimin që po ia bën formimit të institucioneve dhe nuk po flet. Tash e 10 javë po hesht. Po ia lë marrëzitë deputetëve të tij.

Faktet para fiksionit:

Mimoza Kusari Lila: Albulena Haxhiu është më e votuar se liderët e opozitës për këtë arsye duhet të bëhet kryetare e Kuvendit.

Fakt: Kryetar-i/ja e Kuvendit zgjedhet me votat e deputetëve, jo me votat e qytetarëve. Por edhe nëse ky do të ishte kriteri, atëherë më të votuar se Haxhiu janë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Meqë Kurtin duan ta bëjnë kryeministër, atëherë logjika e Kusari Lilës na thotë se Konjufca do të duhej të ishte kandidati, apo jo?!

Albulena Haxhiu: Partitë e ish-opozitës nuk po më votojnë me akuza seksiste dhe mizogjeniste.

Fakt: Deputetet Shqipe Selimi dhe Saranda Bogujevci, të propozuara nga ish-opozita si figura konsensuale për kryetare të Kuvendit, po ashtu janë gra. Nëse ish-opozita nuk do ta pranonte Haxhiun se është grua, atëherë nuk do t’i pranonte as dy gratë e tjera deputete. Apo Haxhiu në ndonjë mënyrë po e sheh veten më grua se dy koleget e veta?! Mjerisht, kjo deklaratë mund të jetë ofenduese ndaj tyre!

Hekuran Murati: Situatë absurdi, se nuk mundemi edhe ne t’i kemi 61 deputetë për kryetar Kuvendi dhe edhe ish-opozita 61 për nënkryetarët.

Fakt: Deklarata e Muratit në fakt është absurde. Dy palët mund t’i kenë 61 deputetë. Me marrëveshje. 61 vota për ta votuar kryeparlamentarin dhe njëjtë 61 vota për nënkryetarët. Pra, me marrëveshje politike të dyja palët mund t’i kenë nga 61 vota njëkohësisht.

Kështu ndodh kur egoja është shumë më e madhe se dija dhe kompetenca.

Lajme të ngjashme