Kearns: Armët në veri kontrabandoheshin me autoambulanca dhe dërgoheshin në kisha
Deputetja britanike Alicia Kearns, e njohur për mbështetjen që i jep Kosovës, ka bërë disa pretendime mjaft të forta gjatë ditës së sotme derisa po fliste për situatën në veri të vendit.
Në atë debat po flitej edhe për çështjen e gjenocidit të Srebrenicës, ku mes tjerash u dënua edhe politika e Millorad Dodikut.
Sa i përket Kosovës, ajo ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar ka përgjegjësi “unike” me ta.
“Duhet ta quajmë lopatën, lopatë.” – tha znj. Kearns. “Ajo çka po ndodh tash në Kosovë është rrjedhojë e interferimit të jashtëm të Beogradit për 18 muaj, kur kreu ndërhyrje të jashtme në punët e brendshme të Kosovës. Beogradi iu tha serbëve të Kosovës që të mos merrnin pjesë në zgjedhje.” – u shpreh ajo.
Për të denoncuar politikën destruktive serbe ajo përmendi edhe kidnapimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës në veri të vendit.
Armët në kisha
Kearns ka theksuar që për kohë të gjatë janë toleruar milicitë e armatosura serbe që të operojnë lirshëm në veri të Kosovës.
“Qeveria e dinte mirë, me ushtarakët që u kthyen nga shërbimi në KFOR, që thanë se kishte armë të kontrabanduara përgjatë kufirit me Serbinë për në kishat ortodokse përmes ambulancash. Kur trupat tona e morën vesh këtë gjë, dhe kërkuan leje që të shkonin e t’i kapnin, leja mori shumë kohë. Dhe kur u dha ajo leje një ambulancë shfaqej te kisha dhe i merrte krejt armët përsëri.” – u shpreh ajo.
Kearns shprehu shqetësim të madh edhe për faktin që Britania po vazhdonte t’i shiste armë Serbisë.