KDI: Të ndëshkohen deputetët që nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit
KDI-ja ka kërkuar nga Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit që të aplikojnë ndëshkime për deputetët që nuk marrin pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës.
Përmes një analize të publikuar, KDI ka vlerësuar se ndëshkimi duhet të bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi.
“Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit duhet të aplikojnë në mënyrë të rregullt ndëshkimet, sipas legjislacionit në fuqi për deputetët të cilët nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit”, është thënë në analizën e KDI-së.
Sipas KDI-së, mungesa e deputetëve në seanca është tejet shqetësuese.
“Vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti, tri seanca janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa nuk ka pasur kuorum për votim në shtatë seanca. Nga praktika e ndërprerjes së seancave, tash e dy javë Kuvendi ka shkuar një hap tutje duke mos organizuar fare seanca për shkak të mungesës së kuorumit. Me mungesë të kuorumit janë përballur edhe komisionet parlamentare. Vetëm gjatë sesionit pranveror kanë dështuar pesë mbledhje të komisioneve si shkak i mungesës së kuorumit”, është thënë në analizë, duke përmendur arsyet e mungesës së deputetëve.
“Deputetët që kanë munguar kanë qenë nga pozita dhe opozita ndërsa si arsye herë janë dhënë udhëtimet e deputetëve, por shpesh herë arsyet nuk kanë qenë të ditura. Kur analizohen statistikat e pjesëmarrjes së deputetëve që kur ka filluar sesioni pranveror del se në çdo seancë në listat e nënshkrimeve janë të evidentuar mesatarisht 90 deputetë. Me përjashtim të një seance gjatë muajit prill ku janë evidentuar vetëm 46 deputetë”, është thënë në analizën e KDI-së.