KDI: Përplasjet fizike në Kuvend të papranueshme
Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar ndaj situatës se sotme në Kuvendin e Kosovës.
Parmes një reagimi, KDI-ja, që mbikëqyrë punën e Kuvendit të Kosovë, i ka vlerësuar si të papranueshme përplasjet fizike.
Sipas KDI-së, imazhet sikurse këto janë rezultat i një klime joparlamentare.
“Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës u shoqërua nga skena të papranueshme të dhunës. Një Kuvend, puna parlamentare e të cilit është mbushur me fyerje e ofendime, pa debate përmbajtësore, kulmoi sot në skena të shëmtuara të konfrontimeve fizike. Imazhet sikurse këto janë rezultat i një klime joparlamentare, të cilës të gjithë aktorët politik parlamentar, pa dallim, duhet të mos i kontribuojnë”, është thënë në reagim.
KDI-ja ka kërkuar nga partitë poliitke që të distancohen nga aktet e sotme.
“U bëjmë thirrje të gjithë partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të distancohen nga kjo klimë dhune që prodhoi skena të papranueshme brenda Kuvendit. Dhuna, asnjëherë, përballë çfarëdo situate nuk mund të jetë mjet politik dhe në asnjë kontekst nuk mund të përligjet sikurse kjo e sotshmja. Po ashtu, kërkojmë nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat e parapara me ligj ndaj akterve të përfshirë në dhunë”, ka vlerësuar KDI.