KDI pas zhvillimeve politike: Nevojitet qartësim urgjent nga Gjykata Kushtetuese
Instituti Demokratik i Kosovës ka shprehur keqardhjen pas krizave të njëpasnjëshme me situatën politike në vend.
Në një komunikatë për media, KDI i bën thirrje Kushtetueses që të përdorë mekanizmat proceduralë për trajtim të përshpejtuar përpara procesit zgjedhor.
“Prandaj, duke pasur parasysh që situata e tanishme që mund të prodhojë pasoja të pakthyeshme, i bëjmë thirrje Gjykatës Kushtetuese që, në përputhje me rolin e saj si gardiane e mbrojtjes së rendit kushtetues dhe konform interesit publik, të përdorë mekanizmat proceduralë për trajtim të përshpejtuar dhe të ofrojë qartësi kushtetuese përpara zhvillimit të procesit zgjedhor.
Në një demokraci kushtetuese, është me rëndësi thelbësore që veprimet e institucioneve që prodhojnë pasoja të mëdha politike dhe institucionale të mbështeten në një interpretim të qartë të Kushtetutës. Asnjë prej proceseve që prekin funksionimin e institucioneve dhe proceset eventuale zgjedhore nuk do të duhej të zhvilloheshin nën një paqartësi kushtetuese. Çdo vonesë në interpretime të tilla krijon pasiguri juridike, institucionale dhe politike” – thuhet në një reagim.
Tutje, KDI u bën thirrje akterëve institucionalë e politikë që të veprojnë me përgjegjësi.
“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë akterëve institucionalë dhe politikë që të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga veprime apo deklarime që mund të kontribuojnë në rritjen e paqartësive kushtetuese dhe tensionimin e mëtejshëm të situatës politike. Respektimi i rendit kushtetues, maturia institucionale dhe besimi në mekanizmat kushtetues janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit demokratik dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit”.