KDI: Kërkesa e Osmanit për masë të përkohshme, iu mundëson ‘komoditet’ për mosveprim partive e deputetëve - NACIONALE

KDI: Kërkesa e Osmanit për masë të përkohshme, iu mundëson ‘komoditet’ për mosveprim partive e deputetëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Instituti Demokratik i Kosovës ka dalë me një reagim sa i përket afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin social Facebook, KDI vlerëson se situata e krijuar pas aktgjykimit ka rikthyer në qendër të vëmendjes rëndësinë e rregullave dhe afateve kushtetuese.

“Ne kemi theksuar në vazhdimësi se Presidentja e vendit, si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, ka detyrimin të ndërmarrë hapa për të ruajtur integritetin e rendit kushtetues. Në këtë drejtim, vlerësojmë veprimin e saj për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, që është autoriteti i vetëm kompetent për të interpretuar situatën e krijuar dhe për të garantuar respektimin e afateve kushtetuese.

Megjithatë, kërkesa e Presidentes për interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e paraqitur vetëm pak ditë para përfundimit të afatit 30-ditor, ngre disa dilema. Fillimisht, është e paqartë se ku qëndron pretendimi për “konflikt të kompetencave” mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë në këtë moment, përderisa afati ende nuk ka përfunduar, dhe Kuvendi ka ende hapësirë për të përmbushur detyrimin e tij për konstituim. Në këtë kuptim, kërkesa duket se paragjykon rezultatin e ditëve të mbetura dhe dobëson pritshmërinë që deputetët ta përmbushin përgjegjësinë e tyre” – thuhet tutje.

Po ashtu, sa i përket kërkesës së presidentes Vjosa Osmani për masë të përkohshme, e njëjta sipas KDI-së iu mundëson komoditet për mosveprim partive politike dhe deputetëve.

“Mbi të gjitha, pyetja “𝑐̧𝑓𝑎𝑟𝑒̈ 𝑛𝑑𝑜𝑑ℎ 𝑝𝑎𝑠 30 𝑑𝑖𝑡𝑒̈𝑠ℎ?” është një çështje që ka mundur – dhe është dashur – të sqarohej menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, në mënyrë që të sigurohej qartësi mbi pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit.

Në anën tjetër, kërkesa për pezullim të afatit kushtetues, në formën e një mase të përkohshme, duket e paarsyeshme, meqë e njëjta iu mundëson “komoditet”, për mosveprim subjekteve parlamentare dhe deputetëve” – thuhet tutje.

Lajme të ngjashme