Kathimerini: Biznesmenët në Selanik kërkojnë investime
Selaniku këtë javë ka hapur dyert mikpritëse për një delegacion biznesmenësh nga Kosova.
Siç ka njoftuar e përditshmja greke ‘Ekathimerini’, zyrtarët nga Kosova e Greqia kanë nënvizuar mundësitë në rritje për bashkëpunim ekonomik në fusha kyçe, si ndërtimtaria, agro-ushqimi, energjia e përtëritshme dhe turizmi.
Teksa ka mirëpritur delegacionin nga Kosova, Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Selanikut për Tregti e Industri, Panagiotis Menexopoulos, ka theksuar potencialin për thellim të lidhjeve të ndërsjella.
Vizita, e kryesuar nga kreu i Dhomës së Tregtisë së Kosovës Lulzim Rafuna, pason memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar në Prishtinë shtatorin e vitit të kaluar.
Sipas Rafunës, eksportet greke përbëjnë 5 për qind të gjithsejtit të importeve të Kosovës, duke reflektuar një potencial të fortë tregtar.
Ai ka bërë thirrje për investime të përbashkëta si dhe ka veçuar Lojrat Mesdhetare 2030, që mbahen në Prishtinë, si një mundësi e mirë për bizneset greke, veçmas në infrastrukturë dhe zhvillim turistik.
Të dyja palët kanë nënvizuar rëndësinë e përdorimit të përvojës greke në projekte të mëdha për të fuqizuar bashkëpunimin tejkufitar.