Katër muaj pas zgjedhjeve, Kosova pa Kuvend edhe pas tentimit të 29-të - NACIONALE

Katër muaj pas zgjedhjeve, Kosova pa Kuvend edhe pas tentimit të 29-të

1 vit më parë

nga NACIONALE

Siç pritej, edhe ndodhi.

Ka dështuar edhe tentative e 29-të për konstituimin e Kuvendit.

Katër muaj pas zgjedhjeve, Kosova nuk ka institucione.

Palët janë barrikaduar në qëndrimet e tyre.

Opozita e refuzon Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, VV-ja nuk tërhiqet nga ky emër.

Sot bëhen saktësisht 4 muaj nga zgjedhjet që u mbajtën më 9 shkurt 20025.

As përpjekja e 29-të e deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk kishte rezultuar me sukses. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dore nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.

Kësaj radhe, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka marrë vetëm 53 deputetë, kundër dhe abstenim nuk ka pasur.

Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të mërkurën në orën 11:00.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje deklaroi se gjatë kësaj jave do të ndërmarrë hapa konkret për hartimin e një agjende të Qeverisë së Unitetit, të cilën e ka propozuar tash e disa kohë.

“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi. Nëse e trajtojmë me guxim dhe me përgjegjësi. Natyrisht se ka zëra mjaft që na ushqejnë që të rrimë larg, por sot para vetës kjo krizë na thërret veç për përgjegjësi. Asgjë më pak. Prandaj, gjatë kësaj jave, do të shkojë dhe një hap tutje. Pas finalizimit të konsultimeve të brendshme, do të dal me një Agjendë 15 pikëshe – një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim. Shpresoj që të kuptohet qartë: uniteti sot nuk është luks – është domosdoshmëri’, ka shkruar ai.

Në fillim të muajit maj, VV-ja ka propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar 6 herë rresht t`i marrë votat e nevojshme.

Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill. Deri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.

Deputetët e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe janë betuar.

VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.

Lajme të ngjashme