Katandisja e Qeverisë Kurti: Mbron të dyshuarit për korrupsion, persekuton sinjalizuesit e korrupsionit
Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me premtimin e madh për të luftuar korrupsionin, por në tri vitet e para të mandatit nuk është se i ka qëndruar besnik këtij zotimit.
Ajo që ka bërë Qeveria Kurti deri me tani ka qenë marrja në mbrojtje e njerëzve të partisë në pushtet, të cilët janë dyshuar për korrupsion, dhe persekutimi e largimi nga puna i zyrtarëve që e denoncojnë këtë dukuri negative, raporton gazeta Nacionale.
Kjo praktikë e qeverisë është dëshmuar me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për të përjashtuar nga puna zyrtarin Ermal Kutllovci, i cili ishte përfshirë në zbulimin e skandalit lidhur me "rezervat shtetërore".
Veprimi i ministrisë për të larguar nga puna zyrtarin përgjegjës për cilësinë e naftës dhe produkteve të naftës në Departamentin e Rezervave Shtetërore në MINT, është kritikuar ashpër nga shoqëria civile.
Vendimi në fjalë është cilësuar si veprim në kundërshtimin me ligjet në fuqi.
Drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se Qeveria Kurti është qeveri klinetilste.
Sipas tij, kjo qeveri mbron zyrtarët e saj që dyshohen për korrupsion, ndërsa largon nga puna ata që denoncon korrupsionin.
“Largohet nga puna Ermal Kutllovci, sinjalizuesi i aferës për rezervën shtetërore. Qeveria e Albin Kurtit kush guxon me raportu korrupsionin e njerezeve te tij, e shkarkon nga puna. Qeveria klienteliste e Albinit i mbron zyrtaret e korruptuar dhe i ndeshkon ata qe kane guxim te raportojne korrupsionin”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, duke ua kujtuar këshilltarëve të qeverisë zotimet e mëhershme.
“Me vjen keq se si jane katandisur disa keshilltare te kesaj qeverie te cilet deri dje e kane pasur gojen plot integritet, kunder-korrupsion, qeverisje e mire, e shiten veten dhe "parimet" per nje cope ashti (pozita, tendera, kompani per blerje dhe shitje te rrymes, privilegje, udhetime, leke, etj)”, ka shkruar ai.
Largimin nga puna të Kutllovcit e ka dënuar edhe Instituti Demokratik i Kosovës(KDI).
Përmes një komunikate për medie, KDI i ka rikujtuar Qeverisë Ligjin për Sinjalizuesit, i cili i mbron sinjalizuesit.
“Përmes mediave është kuptuar se sinjalizuesi publik Ermal Kutllovci, i përfshirë në zbulimin e skandalit lidhur me "rezervat shtetërore", është përballur me masa disiplinore – largim nga puna, me arsyetimin se ka shkelur detyrat dhe përgjegjësitë brenda institucionit. Kutllovci, duke shërbyer si zyrtar përgjegjës për cilësinë e naftës dhe produkteve të naftës në Departamentin e Rezervave Shtetërore në MINT ka treguar se në vazhdimësi ka raportuar tek eprorët e tij, përfshirë edhe ministren, mbi shkeljet dhe parregullsitë sa i përket furnizimit me rezerva shtetërore”, është thënë në reagimin e KDI-së.
Instituti në fjalë ka theksuar se MINT duhet të reflektojë ndaj këtij vendimi.
“KDI bën thirrje që masat e tilla ndëshkuese të mos shqiptohen nga institucionet ndaj punonjësve që sinjalizojnë mbi keqpërdorimet dhe parregullsitë në vendin e punës, e aq më pak kur të njëjtit raportojnë mbi çështje që prekin interesin publik. Sinjalizuesit në Kosovë kanë mbrojtje të garantuar me ligji nga çdo veprim i dëmshëm që vjen si pasojë e sinjalizimit”, është thënë në reagimin e KDI-së.
Me presin sinjalizuesit janë përballur edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Xheladin Krasniqin, ka kërkuar që të dërgohet në Komision Disiplinor zyrtari që kishte sinjalizuar shkeljet e tij me kërkesën për mosmarrje të pushimit.
Nagip Krasniqi dhe Martin Berishaj mbrohen nga Qeveria
Derisa Ermal Kutllovci është larguar nga puna për raportim të korrupsionit, më herët, zyrtarët e partisë në pushtet kanë mbrojtur bashkëpartiakët që janë përfshirë në afera korruptive.
Ndonëse, ish-drejtori ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ishte arrestuar për korrupsion në prill të vitit të kaluar, ai mbrohej nga qeveria dhe deputetët e VV-së.
Madje, Krasniqi ishte mbrojtur edhe nga kryeministri Albin Kurti.
Nga foltorja e Kuvendit, Kurti kishte akuzuar Prokurorinë e Shtetit se Krasniqin e kishte arrestuar me direktiva të opozitës.
“Në anën tjetër është fakt se dje pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi. Por, ky është fakti i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë se ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur keqpërdorim marramendës që asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi drejtësisë”, kishte thënë Kurti.
Duke e mbrojtur ish-drejtorin e KEK-ut, Kurti kishte thënë se arrestimi i Nagip Krasniqit është bërë në mënyrë të qëllimshme.
“Prokuroria është shumë e zëshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka depinuar me dhjetëra fakte dhe dëshmi materiale për kapërdimë qe i ka gjetur atyre. Mirëpo zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve e dëshmimeve për keqpërdorime të me hershme ka qenë zero. Ndërkaq zelli për tu marrë me kryeshefin Krasniqi, i cili vitin 2022 bashkë me punëtoret e KEK-ut ia solli 107 milionë, ishte maksimal”, ka thënë Kurti.
Krasniqi ishte mbrojtur edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetët e partisë në pushtet.
Në të njëjtën mënyrë pushteti ka mbrojtur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për përfshirje në një afër milionëshe që ka të bëj me blerjen e energjisë elektrike.
Hulumtimet dhe raportimet e mediave për përfshirjen e Berishajt në aferën e blerjes së energjisë, janë cilësuar si tendecioze nga kryeministri dhe vartësit e tij.