Kasanof: Po e ndihmojmë Kosovën në hetime rreth sulmit në Ibër-Lepenc
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, ka thënë se janë duke e ndihmuar Kosovën në lidhje me hetimet për sulmin që ndodhi në kanalin kryesor të Iber-Lepencit.
Sulmin në Ibër-Lepenc, Kasanof e ka cilësuar si të tmerrshëm, duke shtuar se aktet e tilla janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet.
“Ai ishte një sulm i tmerrshëm. E kemi dënuar me fjalët më të forta të mundshme dhe do ta ritheksoj këtu që dënojmë çdo lloj sulmi të tillë. Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetimin. Kemi ndihmuar duke vënë në dispozicion burime për këtë qëllim. Dhe mendojmë se është me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren, të shqyrtojë si duhet të gjitha informacionet aty dhe të punojnë me partnerët ndërkombëtarë në këtë kontekst për t’u siguruar që do të ngrihet një hetim i besueshëm. Ajo që mund të them është që akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të fortë.” – ka thënë Kasanof te Zëri i Amerikës.