KAS rrëzon vendimin e KQZ-së, PD-së i hapet rruga për pjesëmarrje në zgjedhje
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve(KAS) në Shqipëri ka rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në këtë mënyrë KAS ia ka lejuar PD-së regjistrim për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
Sipas vendimit, KAS ka vendosur që PD të dorëzojë dokumentet me emër të Enkelejd Alibeajt, si kryetar i komanduar.
“Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë: deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, Alibeajn në cilësinë e kryetarit të komanduar; deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë”, është thënë në vendimin e KAS-it.
Pas këtij vendimi ka reaguar deputet i PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Ai ka akuzuar kryekomisionerin Celibashi për zvarritjen e kësaj çështje.
“Vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vonesa gati dy javore për këtë proces, me autor kryekomisionerin Celibashi është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese. Me këtë rast, edhe njëherë ftojmë të gjithë kandidatët demokratë, pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale. Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës”, ka shkruar Alibeaj në profilin e tij në “Facebook”.