“Kanë integritet”: Ministria e Kulturës i arsyeton emërimet e njerëzve të VV-së në Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që drejtohet nga Hajrulla Çeku, e ka arsyetuar emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar. Arsyetimi i parë është dhënë për lidhjet që kanë të emëruarit me Vetëvendosjen, dhe i dyti për kompetencat ligjore që ka një ministër në detyrë për të bërë emërime të tilla. Nacionale sjell detaje.
Pesë prej shtatë anëtarëve të emëruar në Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar, dolën me lidhje direkte e indirekte me partinë Vetëvendosje. Disa ishin kandidat për deputet, disa anëtarë, e të tjerë militantë.
Megjithatë, këtë vendim e kanë arsyetuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke thënë se emrat që u përcaktuan për këtë Këshill, kanë integritet. Madje, sipas tyre, në trupat e tjerë të institucioneve, ka preferenca të ndryshme.
“Përbërja e Këshillit Drejtues të TKK është profesionale, njëjtë sikur përbërja e këshillave drejtues të institucioneve të tjera të kulturës e trashëgimisë kulturore. Sa i përket përkatësisë ose preferencave politike e partiake, në këshillat drejtues të institucioneve tona mund të gjeni njerëz që kanë përkatësi ose preferenca të ndryshme partiake. Kriteri kryesor në emërimin e këtyre personave është integriteti i tyre personal dhe profesional, përfshi përvojen e tyre në fushat përkatëse të kulturës”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Nacionale solli javën e kaluar hulumtimin që dëshmonte se si nga emrat e përcaktuar në Këshillin e Teatrit Kombëtar, shumica ishin të Vetëvendosjes. Duke nisur nga ish-kandidatja për deputete, Shkurte Aliu, moderatorja e fushatës së VV-së, Shkurte Aliu, ish kandidatja e VV-së në Deçan, Rajmonda Ahmetaj, ish-anëtarja e VV-së, Donika Gashi, e përkrahësja e partisë së Kurtit, Visare Aliu.
Megjithatë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është arsyetuar se ky proces nuk ka asnjë shkelje.
“Sqarojmë se paragrafi 4 i nenit 30 të Ligjit Nr.08/L – 245 për Artin dhe Kulturën, i jep vlefshmëri të gjitha akteve nënligjore paraprake të institucioneve kombëtare të kulturës duke përfshirë këtu edhe statuteve dhe rregulloreve të punës së këshillave drejtuese që kanë ekzistuar ndërsa që deri në momentin e funksionalizimit të Këshillit Kombëtar të Artit dhe të Kulturës, dispozitat e akteve normative nënligjore paraprake nuk vihen në kundërshtim me dispozitat materiale të Ligjit Nr.08/L – 245 për Artin dhe Kulturën. Prandaj, në bazë të legjislacionit të aplikueshëm në këtë moment për artin dhe kulturën dhe me qëllim që të mos krijohet vakum institucional, Ministri në detyrë ka emëruar këshillat drejtues sipas statueve respektive”, thuhet në përgjigje për Nacionalen.
MKRS-ja e ka arsyetuar edhe vendimin e ministrit në detyrë Çeku, duke thënë se nuk ka pasur asnjë pengesë juridike në këtë vendim.
“Ministri Çeku, është Ministër i emëruar nga legjislatura e tete (8), respektivisht në përfundim të mandatit apo ministër në detyrë i Qeverisë së zgjedhur nga legjislatura e tetë (8) ndërsa është deputet i legjislaturës së nëntë (9) fakt ky që e pamundëson gjendjen e papajtueshmërisë së ushtrimit të funksionit sikurse e parashikon Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë. Në këtë drejtim, Ligji për Qeverinë, ka të përcaktuar taksativisht natyrën e vendimeve që nuk mund të merren nga ministra apo qeveri në detyrë e kjo vedimmarrje e fundit, nuk hynë në rregullin e ndalimit apo pamundësimit të nxjerrjes së këtyre vendimeve cka do të thotë se Ministri në detyrë, nuk ka pengesa juridike në ushtrimin e autoritetit publik për emërime të trupave që mundësojnë funksionimin normal të institucioneve kombëtare të kulturës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës për Nacionalen.