Kandidati i Kurtit krah për krah me Micoskin e VMRO-së: Takohen dy ditë para zgjedhjeve
Dy ditë para zgjedhjeve presidenciale të rundit të dytë dhe atyre parlamentare, duket se po finalizohet koalicioni në Maqedoni të Veriut.
Koalicioni VLEN dhe partia VMRO-DMNE po shkojnë drejt marrëveshjes.
Alsat M raporton se sot, kandidati i VMRO-së, Micoski, ka shkuar në shtabin e VLEN që përkrahet nga Albin Kurti. Takimi është zhvilluar me Arben Taravarin.
Aty duket se kanë hartuar një agjendë për bashkëqeverisje, transmeton Nacionale.
Alsat mëson se lufta kundër krimit dhe korrupsionit, përfshi ata që kanë qëndruar duarkryq me mosndëshkueshmërinë, si dhe orientimin strategjik drejt BE-së janë dy pikat kryesore të marrëveshjes politike.
Ndërsa kanë ngelur edhe disa orë nga heshtja zgjedhore, Koalicionet VLEN dhe ai i kryesuar nga VMRO DPMNE kanë kristalizuar parimet e qeverisjes së ardhshme.
“Siç mësuam nga të dy kampet politike, marrëveshja parimore e bashkëqeverisjes së ardhshme për të cilën është rënë dakord, ka betonuar orientimin strategjik të vendit drejt BE-së. Poashtu shtylla e dytë e fuqishme ku bazohet qeverisja e re është lufta e pa kompromise që do t’i shpallet krimit dhe korrupsionit, duke kërkuar mbajtjen përgjegjës jo vetëm të njerëzve të përfshirë në veprimtari kriminale e korruptive, por edhe të atyre që kanë ndihmuar në mosndëshkueshmërinë e këtyre veprave. Në rrafshin ekonomiko-social, mësojmë që është diskutuar lidhur me zhvillimin e barabartë rajonal me fokus të veçantë në rritjen e standardit jetësor si dhe mirëqenies ekonomike, sociale e politike të qytetarëve”, thuhet në raportin e Alsat-M.
VMRO-DPMNE njihet si parti nacionaliste e pro-ruse në Maqedoninë e Veriut.