Kancelari Scholz: Kosova e Serbia të vazhdojnë normalizimin e raporteve
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka folur për raportet Kosovë-Serbi në fjalimin e tij para Parlamentit Evropian.
Scholz ka kërkuar që normalizimi i raporteve ndërmjet dy shteteve të vazhdojë. Ai gjithashtu ka theksuar se duhet të vazhdojë edhe integrimi.
“Evropa duhet të hapet edhe ndaj të tjerëve. Vendime kyçe për Evropën ishin ato të vitit të kaluar, kur vendosëm të punojmë për një Evropë të zgjeruar. U kemi thënë vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe Ukrainës, Moldavisë e ndoshta edhe Gjeorgjisë, se e kanë vendin në Evropë“, tha Scholz.
“Evropa gjeopolitike duhet t’i mbajë premtimet e veta. Premtimet duhet të mbahen ndaj vendeve të Ballkanit, të cilave po u premtojmë anëtarësim tash e 20 vjet. Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojnë reformat për integrim. Duhet të avancohet edhe procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi nuk duhet të jetë i vetmi motiv për reforma, por duhet të kihet parasysh“, tha kancelari gjerman.
“Ne duhet të jemi edhe më të hapur ndaj tjerëve. Na duhet një BE e zgjeruar dhe e reformuar, një BE gjeostrategjike. Rrallëherë kemi qenë më të bashkuar sesa tash në përballje me agresionin e Rusisë [në Ukrainë]”, tha Scholz.
Kancelari gjerman tha, po ashtu, se Bashkimi Evropian po punon për të përmirësuar regjimin e sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.