‘Kam qenë adhurues i Kurtit, i kam humb total shpresat’: Qytetarët flasin rreth vendimit për pagën minimale - NACIONALE

‘Kam qenë adhurues i Kurtit, i kam humb total shpresat’: Qytetarët flasin rreth vendimit për pagën minimale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qytetarët kanë komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta rritur pagën minimale në 350 euro, shumë kjo që po u duket e pamjaftueshme.

Për “EO”, Fahredin Halimi, pensionist, ka thënë se kjo është e papërgjegjshme dhe se vendimi “ndoshta” është marrë edhe për shkak të zgjedhjeve.

“Unë mendoj që pagat duhet të rriten më së shumti, paga në Kosovë është më e vogla në të gjithë Evropën, sidomos neve pensionistëve nuk na i kanë rritur aspak. Qeveria ka para nuk është që nuk kanë sepse ekonomia është e mirë, por mendoj që ndikimi ka qenë tek Qeveria sepse është shumë pak, ndoshta është edhe për zgjedhje por duhet të rritet së paku 50 për qind.” – citohet se ka thënë ai.

Besim Islami ndërkaq, e ka cilësuar këtë si një “hajgare qeveritare”:

“Rritja e pagave është vetëm ‘hajgare qeveritare’ asgjë më shumë, me gjashtë euro nuk mundesh asnjë fëmijë me mashtruar. Kush mban qen në Prishtinë i merr nga 50 euro dhe kush ka fëmijë merr vetëm nga 30 euro. Vetëm në Kosovë ndodhin këto çudira”.

Reshat Salihu ka thënë se kjo situatë është e turpshme dhe qesharake, pasi rritjet e pagave janë të pamjaftueshme.

“Kjo që ka ndodhur dje është tejet e turpshme dhe qesharake, ka punëtorë që punojnë nga 35 vjet dhe vetëm 6.80 është qesharake, fajtor kryesorë është kjo qeveri, ndoshta është e trashëguar edhe nga e kaluara, po kjo nuk është rritje dhe është një tmerr, kam pritë më shumë rritje sepse populli po punon dhe po heq shumë dhe duhet të jepet ajo që e meriton, këto nuk janë paga por janë lëmosha.” – u shpreh ai.

Ndërkaq, Sejdi Shala ka thënë se ka qenë përkrahës i Kurtit, por se i ka humbur shpresat.

“Kjo rritje pagave është jo serioze nga ana e Qeverisë sepse shteti si shtet mbahet me katër shtylla: policia, ushtria, shëndetësia e arsimi dhe këto shtylla nuk janë kurrkund. Me 6.80 cent një polic që është i rrezikuar çdo moment brenda 24 ore është një tmerr. Ne mes vete nuk jemi të lidhur ekzistojnë sindikatat që me e kushtëzu qeverinë që nëse brenda një jave nëse nuk e ndryshoni pagën e policisë dhe këtyre të rinjve në shtylla të tjera, uniformën e kisha hedh përtokë. Kam qenë adhurues i Kurtit por me veprimin e fundit i kam humbë shpresat total. Minimalja e një polici nuk duhet të jetë nën 800 apo 900 euro.” - u shpreh ai.

Lajme të ngjashme