Kallas pritet t’i informojë sot diplomatët e BE-së për ecurinë e dialogut Kosovë–Serbi
Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian pritet të mblidhen sot në Bruksel në kuadër të Këshillit për Punë të Jashtme, ku një nga temat e diskutimit do të jetë situata aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, do t’i informojë ministrat për zhvillimet më të fundit në kuadër të dialogut Prishtinë–Beograd, si dhe për përfundimet nga vizita e saj e fundit në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Të dielën, Kalls priti në një darkë informale ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku bisedimet janë përqendruar në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në fuqizimin e bashkëpunimit politik mes BE-së dhe rajonit.
“Përfaqësuesja e Lartë do t’i informojë ministrat mbi vizitën e saj të fundit në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, si dhe mbi zhvillimet më të fundit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.”
Siç bëhet e ditur në njoftim, Ministrat do të diskuojnë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me partnerët e Ballkanit Perëndimor.
“Gjatë një dreke pune, Këshilli do të shkëmbejë mendime mbi marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me partnerët e Ballkanit Perëndimor, duke u përqendruar në mënyrat se si mund të forcohet më tej bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përballë sfidave politike, si dhe në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.”
Pas takimit të zhvilluar dje me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka theksuar rëndësinë e trajtimit të Kosovës si një partnere e barabartë në të gjitha proceset integruese.
“Me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, znj. Kaja Kallas, pata një shkëmbim të hapur mbi domosdoshmërinë që Republika e Kosovës të trajtohet si një partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese.”
Sipas saj, këta hapa përfshijnë përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës, të cilat, siç u shpreh ajo, “cenojnë parimet e partneritetit.”
“Theksova se mbështetja për Kosovën nuk duhet të mbetet në nivel deklarativ, ajo duhet të përkthehet në hapa konkretë: përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për BE dhe largimin e masave që cenojnë parimet e partneritetit.” – shkroi Gërvalla.