Kallas Mickoskit: Merreni shembull Shqipërinë
Bashkimi Evropian qëndron me Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj evropiane.
Ky ka qenë mesazhi i Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Kaja Kallas, me rastin e vizitës zyrtare në Shkup.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin nikoqir, Hristijan Mickoski, kryediplomatja evropiane ka bërë me dije se Maqedonia e Veriut është vendi i parë përfitues në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe i pari që e nënshkruan Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes me BE-në.
“Maqedonia e Veriut i përket BE-së, ju vërtet keni një histori të përputhjes me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë të BE-së, gjë që është shumë e rëndësishme për ne, veçmas në këtë kohë të trazuar”, ka thënë Kallas.
“BE do t’i japë Maqedonisë mbështetje edhe më të madhe, qoftë kjo në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit apo modernizmin e administratës publike.”
Duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është receta më e mirë për paqe e siguri, Përfaqësuesja e Lartë ka përmendur rastet e Shqipërisë dhe Malit të Zi si shembuj të përparimit në procesin e anëtarësimit.
“Ne e dimë nga përvoja se përparimi mund të jetë i shpejtë në qoftë se për të ka vullnet politik, dhe Shqipëria e Mali i Zi janë shembuj të kësaj”, ka theksuar Kallas.
Ndryshe, vizita në Shkup përmbyll turin treditor të kryediplomatës evropiane në Ballkanin Perëndimor.
Të mërkurën, ajo qëndroi në Beograd ku u takua me krerët e shtetit serb.
Një ditë më vonë, Kallas vijoi vizitat e saj në Kosovë ku u takua me krerët e partive kryesore politike.
Ky ishte qëndrimi i dytë zyrtar në vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi vizitave të bëra në prill në Podgoricë, Tiranë dhe Sarajevë./Nacionale/