Kalifornia ballafaqohet përsëri me reshje të dendura e vërshime
Zyrtarë të ekipeve emergjente në disa distrikte të Kalifornisë e kaluan të dielën duke i patrulluar lumenjtë me ujë të shtuar, pasi rajoni u godit nga një stuhi me reshje të dendura, duke shkaktuar vërshime që morën rrugë e nxitën evakuim të njerëzve.
Vala më e re e reshjeve përfshiu disa zona malore, të cilat ende janë të mbuluara me borën që ra gjatë stuhive të mëhershme, ndërsa në lartësi më të madhe mbidetare, pati reshje të reja bore.
Banorët në qytezën Big Bear dhe në zonat malore afër saj kanë thënë se komunitetet e tyre nuk ishin të përgatitura mirë për ashpërsinë e stuhive dimërore, të cilat autoritetet lokale i kanë quajtur të pashembullta për zonën e lartë të Kalifornisë Jugore, raporton agjencia “Reuters”.
Vala më e re e reshjeve të dendura e erë të fuqishme arriti të enjten në mbrëmje dhe shkoi në kulm të premten herët, duke përfshirë një rajon të gjerë me rreth 26 milionë banorë, duke përfshirë Los Angelesin, zonën e Gjirit të San Franciskos dhe pjesën metropolitane të Sakramentos.
Presidenti amerikan, Joe Biden, të premten e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kaliforni, duke dhënë urdhër që asistenca federale t’u ofrohet autoriteteve shtetërore e lokale për t’u ballafaquar me motin e ashpër.
Stuhia ishte produkt i atij që meteorologët e quajnë “lumë atmosferik”, rrymë e shtresës së lartë e lagështirës së dendur subtropikale, e cila ka rrjedhur drejt bregdetit perëndimor nga ujërat e ngrohta të Paqësorit përreth Havait.