Kajtazi flet për pajisjen në veturë: Policia duhet ta verifikojë se a është e ndonjë institucioni apo grupi kriminal - NACIONALE

Kajtazi flet për pajisjen në veturë: Policia duhet ta verifikojë se a është e ndonjë institucioni apo grupi kriminal

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar për herë të parë pas vendosjes së pajisjes gjurmuese në veturën e tij.

Ai për Klan Kosova ka thënë se vetura është e portalit Paparaci dhe se GPS-i ishte vendosur si magnet në veturë.

“Më ka thirr dhe e kam pa edhe unë. Kishte të dhëna aty, numër serik dhe ku shkruante ‘GPS’. E kam lajmëruar policinë dhe ata i kanë lajmëruar njësitet e specializuara, që është njësia kundër bombave dhe e kanë marrë pajisjen dhe vazhdojnë me hetime”.

“Nga ajo që është parë, është pajisje përgjuese dhe është e vendosur si magnet në veturë. Veturën e kam marrë, vetura është në rregull, është kontrolluar nëse ka ndonjë mjet shpërthyes nga policia dhe më pas kam vazhduar për në stacion të policisë” – ka thënë ai.

Më tej, ai ka thënë se nuk ka dyshime se kush e ka vendosur dhe se i mbetet policisë që të verifikojë se kujt i përket pajisja, teksa ka përmendur edhe përcjellen që po i bëhet atij.

“Nuk kam dyshime, është policia ajo që duhet ta verifikojë se kujt i përket kjo pajisje se a është e ndonjë institucioni apo e ndonjë grupi kriminal dhe hetimi do ta vërtetojë një gjë të tillë”.

“Ka dy javë që flas publikisht për përgjim dhe vëzhgim të paligjshëm të gazetarëve. Fjala është për mua, Berat Buzhalën, Ilir Mirenën dhe Lirim Mehmetajn. Pra ka një përcjellje të kundërligjshëm që po ndodhë në Kosovë.” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme