Kadrijaj: Të shtyhen zgjedhjet, shteti nuk është mirë të dështojë para presionit të Listës Serbe
Deputetja e AAk-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk ka siguri se do të mund të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri.
Në një intervistë për “Ditari” në Tëvë 1, Kadriajaj tha se më mirë është të shtyhet përsëri data e mbajtjes së zgjedhjeve ne veri.
“Unë në fakt nuk e di a ka një dakordancë dhe a ka siguri që të mbahen zgjedhjet. Sepse edhe nëse është një pjesëmarrje e ulët e votuesve, këto zgjedhje nuk do të jenë legjitime dhe pikërisht kjo ka qenë arsyeja që Haradinaj ka kërkuar të shtyhen. Më mirë të zbrapsemi tash në një periudhë më të volitshme sesa të shkojmë dhe të dështojmë”, deklaroi Kadrijaj.
Tutje, ajo tha se nuk është mirë që Qeveria që shteti i Kosovës të dështojë në veri nga presioni i Serbisë.
“Prapëseprapë nëse shkojmë në zgjedhje dhe nuk kemi pjesëmarrje të votuesve, prapë do të dështojmë. Tash mbetet Qeveria të vendos, por nuk është mirë me qu vendin në situatë të tillë që një shtet me dështu para Listës Serbe dhe me dështu para presionit që po bën Serbia dhe presionit që po e bëjnë vetë serbët karshi qytetarëve të cilët janë shpreh se do të marrin pjesë në zgjedhje”, theksoi ajo.
Ndryshe, Ramush Haradinaj, nga foltorja e Kuvendit sot ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve
Në seancën e sotme të Kuvendit, ai ka thënë se gjendja atje duhet të merren parasysh nga institucionet e Kosovës.
“Nuk e shoh se cili është interesi ynë me vazhdu me e mbajt Policinë e Kosovës në situatën çfarë janë atje dhe me harru që kemi përgjegjësi për gjendjen atje. I bëj thirrje qeverisë, presidencës, institucioneve të vendit, ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim lidhur më këtë situatë. Cili kish pasë me qenë ai vendim? Unë besoj shumë shtyrja e zgjedhjeve. E di se plot prej jush mendoni me bindjen tuaja, analizën tuaj dhe keni argumente që i bazoni në të drejtën kushtetuese dhe ligjore, mirëpo mos harroni, terreni është pikënisja e suksesit. Nëse gjendjen në terren e ki çfarë e ki, atëherë mos e lejoni me shku ditën e fundit dhe pastaj me pranu humbjen.”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka vlerësuar se shteti i Kosovës nuk do t`i bënte nder mbajtja e procesit të votimit nëpër stacione policore.
“Cilat kishin pasë me qenë këto psoja? Në rast se Kosova qëndron në vendimin e vetë që është kushtetues dhe ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve, do të vije dita e zgjedhjeve dhe qytetarët e veriut do të shkojnë me votu në stacione policore. Ju lutem duhet t`i bëjmë analizë kësaj situate, a është në interesin tonë që të arrijmë të kjo ditë, çka do të fitojmë në këtë ditë? Nuk besoj se ne duhet ta heshtin këtë gjendje. Ma mirë me pranu një çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër, se sa një humbje të plotë ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Haradinaj.

