“Ka shkelur vijën e kuqe”: Opozita ia “mbledh betë” kryeministrit Kurti - NACIONALE

“Ka shkelur vijën e kuqe”: Opozita ia “mbledh betë” kryeministrit Kurti

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare janë shprehur tejet të shqetësuar me raportet e Kosovës me SHBA-të. Ata kanë bërë me dije se raportet mes të dy vendeve asnjëherë nuk kanë qenë më të ulëta. Për këtë gjendje kanë bërë fajtor kryeministrin Albin Kurti.

Liderët e këtyre partive kanë paralajmërua ndërmarrje të masave ndaj Qeverisë Kurti.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti tashmë e ka kalua vijën e kuqe.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se beson në suksesin e një mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Besoj se ka ndodhur vija e kuqe, me ditën e djeshme, me këtë diskurs publik të tij, gjuhen e përdorur ndaj sekretarit të shtetit. Jo vetëm opozita po edhe shpresoj se edhe në deputet të VV-së dhe te komuniteteve, duhet ta çojmë në mocion këtë qeveria menjëherë. Për hatër tonë e të këtij vendi ta dëshmojmë se nuk jemi në agjendën ruse”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, fjalori i Kurtit ndaj SHBA-së është i njëjtë me fjalorin e Vladimir Putinit.

Sot për sot, ju siguroj se sjelljet e Albin Kurtit, të Vjosa Osmanit, dhe të gjithëve që janë në institucione në pushtet janë tipike Medvedev e Putin. Pra, me e detyru sekretarin e shtetit me përdor atë gjuhë ndaj nesh dhe po ashtu ky me përdor atë gjuhë që ka përdor, ku është dallimi mes Rusisë dhe Amerikës edhe Amerikës dhe Kosovës. Merreni fjalorin e Putinit, të Medvedevit, apo Llavrovit dhe merrne fjalorin e Kurtit”, ka thënë Kurti.

Edhe kryetari LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se kjo parti do të ndërmarr masa ndaj Qeverisë së Kosovës.

Në një konferencë për medie, ai ka deklarua se qasja e qeveris duhet të ndalet.

Nga sot LDK-ja nuk do të sillet sikur jemi në situatë normale politike. Nga sot do t’i përdorim të gjitha rrugët institucionale, politike e demokratike që ta ndalim këtë degradim e theqafje të cilën e ka sjellë Kurti e ka instaluar në krye të ekzekutivit. Kosova ka nevojë t’i kthehet dinjiteti dhe perspektiva. Kosova ka nevojë që ta ketë të ardhmen e vet, që ta mund ta planifikojë zhvillimin e vet e mirëqenien për qytetarët e vet. Nuk mund të lejojmë që taktikat aventureske, fëmijërore e naive të Kurtit të shndërrohen në fatura për Kosovën dhe popullin tonë”, ka thënë ai.

I pari i LDK-së ka thënë se borxhet e Kurtit nuk mund t`i pranojë Kosova.

Asnjë borxh nuk ia kemi Kurtit. Asnjë borxh të tijin personal nuk do ta pranojmë për Kosovën. E ardhmja politike e tij le të jetë brengë për të. Ai le të vazhdojë të mbetet peng i vetes. E ardhmja sovrane e Kosovës do të jetë preokupimi ynë kryesor dhe i vetëm”, ka thënë Abdixhiku.

I shqetësuar me raportet është shprehur edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Sipas tij, sa herë që Kurti është në pushtet Kosova përballet me kërcënime të SHBA-së.

Që nga fillimi, edhe në qeverinë e parë dhe në të dytën, ne kemi parë që qasja e Kurtit ndaj ShBA-së ka qenë problematike dhe jemi ballafaquar me kërcënime. Në Qeverinë Kurti 1, një nga arsyet pse kemi shkuar në zgjedhje ishte dëmtimi i relacionit me ShBA-të”, ka thënë Tahiri, pas mbledhje së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka thënë se deklarimet e Kurtit kundër sekretarit amerikan janë të papranueshme.

Tash pasuan sanksionet dhe ajo çka kemi dëgjuar mbrëmë nga Kurti në raport me Sekretarin Blinken është jashtëzakonisht shqetësuese dhe pamaturi e madhe. Me ardhë puna që kryeministri i Kosovës ta quajë naiv Sekretarin e ShBA-së është e papranueshme”, ka thënë Tahiri.

Lajme të ngjashme