"Ka nxitur urrejtjen, ka shkelur kodin e etikës": KMShK miraton ankesën e Nacionales kundër raportimit të RTK-së
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka miratuar plotësisht ankesën e Gazetës Nacionale kundër Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për raportimin skandaloz, duke cituar median boshnjake “Sllobodna Bosna”, ku sulmohet Nacionale e Periskopi. KMShK ka gjetur se RTK-ja ka shkelur tre kapituj të Kodit të mediave të shkruara në Kosovë.
Në mbledhjen e mbajtur të KMShK-së është miratuar ankesa e Nacionales kundër RTK-së për publikimin e lajmit të paverifikuar të gazetës boshnjake.
KMShK ka gjetur se RTK-ja ka shkelur kapitujt e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, si “raportimi i së vërtestës, nxitja dhe gjuha e urrejtes dhe e drejta për t’u përgjigjur."
“Pas reagimit të palëve, media kishte larguar emrat Nacionales dhe Periskopit. Pala ankuse pretendon se shkrimi i publikuar bie ndesh me kapitujt II (raportimi i së vërtetës), III (nxitja dhe gjuha e urrejtjes) dhe IV (e drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.”
“Lajmi është publikuar në median online dhe objekt i kësaj ankese është teksti i shkruar, rrjedhimisht ankesa është e lejueshme për trajtim dhe e afatshme. Pas shqyrtimit të ankesës, KMShK gjen se ankesa është e bazuar. Pra, miratohet.” – thuhet në vendimin e KMShK-së.
Të gjeturat e KMShK-së
KMShK-ja ka gjetur se RTK-ja ka shkelur kodin e etikës në lidhje me raportimin e së vërtetës, pasi në raportim nuk janë paraqitur provat me të cilat është mbështetur shkrimi.
“Pas leximit të ankesës dhe shkrimit të medias, përkatësisht portalit të Radio Televizionit të Kosovës, KMShK ka gjetur se media ka shkelur kodin e etikës në lidhje me raportimin e së vërtetës, pasi që në asnjë pjesë të shkrimit nuk ka paraqitur provat në të cilat është mbështetur shkrimi i medias boshnjake.”
“Media ka përkthyer shkrimin nga media “Slobodna Bosna” pa ndërhyrje ose redaktim paraprak. Media është dashur që paraprakisht të vendos nëse një lajm i tillë, me plotë supozime, duhet të publikohet ose jo.” – thuhet në vendim.
Gjithashtu, RTK-ja ka shkelur kodin e etikës në momentin kur nuk ka kontaktuar mediat si dhe përmes artikullit ka nxitur urrejtje kundër mediave.
“KMShK ka gjetur se media nuk i ka kontaktuar mediat e përmendura, përkatësisht përfaqësuesit e tyre, ashtu siç kërkon Kapitulli IV i kodit të etikës, për më tepër që rasti për të cilin ka raportuar është i ndjeshëm dhe me pasoja për median.”
“KMShK ka gjetur se media nëpërmjet publikimit të artikullit ka ndikuar negativisht dhe ka nxitur urrejtjen kundrejt dy mediave të tjera, duke shkelur Kapitullin III të kodit të etikës. Andaj, KMShK vendos që ankesa të miratohet.” – thuhet në këtë vendim.
Po ashtu edhe Komisioni i formuar nga RTK-ja për trajtimin e këtij rasti gjeti se janë shkelur standardet profesionale.
Kujtojmë se publikimi i lajmit skandaloz të RTK-së kundër Nacionales ka nxitur reagime të jashtëzakonshme.
Pas reagimi të madh publik, tre anëtarë të Bordit të RTK-së dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Ndërkaq, deri më tani nuk ka dhënë dorëheqje drejtori i TV-së, i cili është përgjegjës për këtë shkrim, Rilind Gërvalla.
Gërvalla njihes si anëtarë i partisë në pushtet – Vetëvendosje. Në anë tjetër, anëtarë të pushtetit, nga qeveria e deputetët të VV-së, dolën në përkrahje të këtij raportimi skandaloz, duke vazhduar sulmet ndaj Nacionales.
Gjithashtu, Nacionale ka publikuar edhe procesverbalin e mbledhje së Bordit të RTK-së me përgjegjësit të mbajtur një ditë pas publikimit të lajmit.
Duke klikuar KËTU mund të lexoni komunikimin e tyre.
Nacionale falënderon Qendrën për Ndihmë Juridike të Institutit të Kosovës për Drejtësi, për angazhimin rreth këtij rasti.