Alarm për bombë, policia largon deputetët dhe gazetarët nga ndërtesa e Kuvendit
Policia e Kosovës ka larguar nga ndërtesa e Kuvendit deputetët dhe gazetarët.
Organet e rendit nuk kanë dhënë shumë detaje, vetëm kanë kërkuar që deputetët, gazetarët dhe stafit të largohen nga ndërtesa e Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka dhënë disa detaje, duke treguar se policia ju ka kërkuar që të largohen sa më shpejt.
“Policia për shkak të masave të sigurisë duhet të evakohet stafi. Kanë një kërcenim, por me tutje jep policia sqarime. Krejt çka na kërkuan është me e liru ndërtesën e Kuvendit”, ka thënë Tahiri.
Kërcënimi është komentuar edhe nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se Kuvendit ka një sistem të brishtë të sigurisë dhe gjithçka mund të ndodhë.
Ajo ka treguar se kjo nuk është hera e parë që Kuvendit tentohet të sulmohet.
“Aq sa morët ju informacion, mora edhe unë. Na thane dilni se ka diçka dhe dolëm. Duke e njoftë saktë sistemin e sigurisë në Kuvend për të cilin unë e kam ngritur shqetësimin shumë herë, jo vetëm në këtë mandat, gjithçka mund të ndodh. Nuk është hera e parë që Kuvendi sulmohet, ju e dini që është sulmuar me zollë. Prandaj gjithçka mund të këtë”, ka thënë Musliu.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka reaguar pas njoftimit të policisë për një alarm sulmi në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të zbardh rastin.
“Është në dorën e policisë me zbulu rastin edhe nga ka ardhur ajo telefonatë. Sepse nëse angazhohen, do të gjejnë se kush ka bërë këtë informatë,” ka thënë Kadrijaj.
Më shumë detaje ka dhënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Pas evakuimit nga Kuvendi, ai ka treguar se kërcënimi është bërë përmes një telefonate.
“Duhet autoritetet kompetente me vlerësu, sidomos ato të sigurisë, kërcënimi ka qenë i qartë, policia po mendon ashtu. Të gjitha grupet parlamentare po i binden këtij vendimi. Me sa e di unë vetëm përmes telefonatës, të tjerat nuk i kemi të qarta”, ka thënë ai.