“Ka fundosje të interesave të Kosovës”; “po përdoret për fushatë”: Opozita s`pret asgjë nga dialogu i Brukselit
Opozita nuk pret ndonjë progres në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Partitë opozitare e kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti për degradim të këtij procesit. Deputetët e PDK-së dhe LDK-së mendojnë se Kurti në këtë proces ka dëmtuar fundosur interesat e Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka shprehur kritika të ashpra ndaj shefit të Qeverisë.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka kritikuar edhe kryenegociatorin e Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.
“Pa dialog nuk ka avancim të Kosovës në sferën ndërkombëtare, nuk ka as anëtarësim në organizata ndërkombëtare e njohje, nuk ka përkrahje nga aleatët tanë. Prej kur Albini e ka në udhëheqje dialogun ka fundosje e degradim të interesave të Kosovës e ka diskutim të çështjeve të brendshme të shtetit tonë me Serbinë. E sa për Besnikun, ai as nuk matë e as nuk pren në dialog, pra njohuria në tema dhe ndikimin i tij në vendime janë zero”, ka thënë ajo.
As deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi nuk ka ndonjë pritje nga ky proces.
Ajo ka vlerësuar se me faj të kryeministrit Albin Kurti në këtë proces, Kosova sot gjendet nën sanksione të BE-së.
“Nuk presin asgjë nga dialogu, jemi në masa ndëshkuese nga BE-ja, secilin proces të Kosovës në politikë të jashtëm e ka lidhe me dialogun në fakt e ka kushtëzuar, dështuam në Këshillin e Evropës, pikërisht sepse e ka fute Kosovën në kushtëzime të reja, ne jemi anëtarësuar në dhjetëra organizata ndërkombëtare të rëndësishme pa asnjë kushtëzim”, ka thënë Krasniqi për gazetën Blic.
Sipas saj, Qeveria po e keqpërdor këtë proces.
“Kurti dialogun po e përdor veç për fushatë. Ka dështuar në qeverisje të brendshme, në të gjitha fushat e tani e përdor dialogun për të humbur fokusin e dështimeve te tij”, ka thënë Krasniqi për Gazeta Blic.
Ajo ka kërkuar nga Kurti që të raportojë në Kuvendin e Kosovës për atë që po diskutohet në Bruksel.
“Serbia ka kryer sulm terrorit në Kosovë, dhe asnjë masë ndëshkuese për të, nuk mjafton me pas të drejtë ajo duhet të marrë epilog dhe të koordinohet me aletet e Kosovës, sepse këto dëme që po ja sjell Kosovës vështirë mund të riparohen. Ai dhe Besnik Bislimi duhte të vijë në Kuvend të raportoj për çfarë po flasim me Serbinë për çfarë dialogu, nga dialogu për njohje e ka sjell Kosovën ne dialog të kushtëzuar”, ka thënë Krasniqi.
Çfarë deklaruan Lajçaku e Bislimi për takimin e fundit?
Një dite më parë, kryenegociatori Besnik Bislimi ka zhvilluar një takim të gjatë në Bruksel me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.
Takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat.
Pas takimi, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar për atë se çfarë është biseduar në takim.
“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me Besnik Bislmin dhe Petar Petkoviqin. Ne diskutuam një gamë të gjerë çështjesh dhe ramë dakord për një sërë hapash vijues.” – ka shkruar Lajçak në X.
Në anë tjetër, Bislimi nuk përmendi se është pajtuar për ndonjë gjë në këto takime, duke thënë se pala serbe kishte interesim vetëm për Asociacionin.
“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviq nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit.” – ka thënë Bislimi para gazetarëve.