“Ka frikë”, “Po i mbron dosllarët e krimit”: Opozita e skandalizuar me videon e Kurtit për ministren Hajdari - NACIONALE

“Ka frikë”, “Po i mbron dosllarët e krimit”: Opozita e skandalizuar me videon e Kurtit për ministren Hajdari

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrojtja që Kryeministri Albin Kurti ia ka bërë mbrëmë Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pas skandaleve në këtë ministri, ka skandalizuar opozitën.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se mesazhi i Albin Kurti i dhënë përmes një video në profilin e tij në “Facebook” tregon për friken që Kurti ka për aferën e furnizimit me vaj dhe miell për rezerva shtetërore.

Sipas tyre, sulmi që kryeministri në këtë video ua ka bërë mediave dhe gjyqësorit është i paprecedent.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Kurti po mbron dostat e krimit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se Kurti po i sulmon mediat vetëm pse po ia zbulojnë hajnin.

Ç'është ky kryeministër që e lufton sistemin e drejtësisë të shtetit të vet e i mbron "dosllarët" e krimit! Ç'është ky njeri që e sulmon median e shtetit ku vet është kryeministër, veç pse ato i'a zbulojnë hajnitë e miqtë matrapazë! Ky njeri që vjedhjen e bukës së popullit, mundohet ta mbulojë me "borën e parvjeme"! Çka duhet të ndodhë tjetër që ju që keni votë, që keni zë, që keni mendje e zemër dhe që e doni Kosovën, të bindeni se shkarkimi i këtij njeriu, sot është detyrë kombëtare!”, ka shkruar Kurti.

Edhe sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka vlerësuar se video e shefit të ekzekutivit është dëshmi se ai po e mbron krimin.

“Jam i skandalizuar nga videoja e Albin Kurti. Kjo video është dëshmi se ai është mbrojtës i krimit dhe duke qenë i tillë, Kryeministri po e pengon drejtësinë. Albin Kurti po e mbron Rozeta Hajdarin e Ridvan Dallavergjiun sepse edhe ai është i përfshirë dhe bashkëpërgjegjës në këto vepra të pastra korruptive dhe kundër sigurisë kombëtare”, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që ai e bën një gjë të tillë.

Bashkëpunëtori i superkriminelit, Milan Radojçiqit, ashtu siç e mbronte Mimoza Kusarin që ia koordinonte punët, njejtë po e mbron Rozeta Hajdarin dhe Ridvan Dallavergjiun. Albin Kurti me të njejtën fuqi e mbron edhe Nagip Krasniqin dhe Martin Berishajn”, ka vlerësuar Gjoshi.

Kurse, zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, ka thënë se në adresimin e tij Kurti ka reflektuar frikë dhe pasiguri.

Kurti në adresimin e sontëm nuk reflektoi siguri për atë çka po e thotë, por reflektoi nervozë e frikë dhe sigurisht ka një arsye të caktuar për këtë dhe ne besojmë që vetë afërsia e kryeministrit dhe njerëzve rreth tij me personazhin kryesor të kësaj afere, pronarin e kompanisë “Bukë e Zemër” që ka porositur rezervat shtetërore, në këtë rast Rivdani, i ka jep mjaftueshëm arsye kryeministrit që të shfaqë këtë nervozë dhe të del në mënyrë të paprecedentë ta mbrojë një rast i cili është krejt në fillim të hetimeve”, është shprehur Rukiqi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Çka tha Kurti?

Në orët e mbrëmjes, kryeministri Albin Kurti u është drejtuar qytetarëve për arrestimet në MINT. Ai ka mbrojtur ministren Rozeta Hajdari, duke thënë se i beson asaj dhe se nuk ka keqpërdorim për rezervat shtetërore.

97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore. Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, ka thënë ai.

Pasi ka mbrojtur, ministren Hajdari ai i është sulur qeverive të kaluara.

Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar”, ka thënë ai, duke shtua se ata po përpiqen t`i ruajtur pasurit e akumuluar me hajni e korrupsion.

Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe. Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës. Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze tё tyre do dëgjohen gjithnjё e mё rrallё”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit nuk ka kursyer as sistemin e drejtësisë.

Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit. Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t'i fshehin edhe shumё gjatё”, është shprehur Kurti.

Nën dyshimin se kanë bërë keqpërdorime gjatë blerjeve të rezervave shtetërore, policia e Kosovës dje ka arrestuarit dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe biznesmenin Ridvan Muharremi, i cili është një mik i ngushtë i kryeministrit Albin Kurti.

Zyrtarët e arrestuar të MINT-it janë drejtori Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.

Të arrestuarit janë dërguar në mbajtjes për 48 orë.

Lajme të ngjashme