Jusuf Thaçi: Kosova duhet të braktisë plotësisht dialogun përderisa ndërmjetësi mban anë
Pasi bisedimet urgjente mes Kosovës dhe Serbisë nuk arritën t'i japin fund mosmarrëveshjes së tyre të stërzgjatur mbi përdorimin e targave të makinave nga pakica etnike serbe në Kosovë, Bashkimi Evropian lëshoi një paralajmërim për një "përshkallëzim të mundshëm mbi situatën" të hënën.
"Pas shumë orësh diskutimi ... të dy palët nuk ranë dakord për një zgjidhje sot," tha shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell në një deklaratë për mediat.
E analisti politik, Jusuf Thaçi, përmes një shkrimi në Facebook, lidhur me zhvillimet e sotme në takimin disa orësh në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE-së, ka tjetër këndvështrim.
Ai ka thënë se Kosova duhet ta braktisë plotësisht dialogun Kosovë-Serbi që "ndërmjetësohet" nga BE-ja, përderisa ndërmjetësi mban anë.
Postimi i plotë i Thaçit:
Kryeministri Kurti sot në Bruksel paska propozuar që Kosova ta pezullojë vendimin për targat ilegale me kusht që Serbia të ndalojë së prodhuari targa ilegale për Kosovë dhe me kusht që BE ta fillojë procesin e bisedimeve për marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë bazuar në planin "franko-gjerman" (në fakt, kryeministri Kurti me këtë qenka pajtuar me kërkesën e SHBA-së që ta pezullojë vendimin për targat për t'i dhënë një shancë dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare).
Serbia e paska pranuar kushtin për mosprodhim të targave ilegale, ndërsa BE-ja nuk e paska pranuar kushtin për fillimin e bisedimeve për marrëveshje finale.
Pyetja shtrohet: pse BE ka refuzuar diçka që vet e ka propozuar dhe vet e kërkon?
Përgjigja është e qartë: BE-ja e ka refuzuar këtë në emër të Serbisë, jo në emër të vetin.
Përfundimi logjik është: BE-ja ka marrë anë, qartazi është pozicionuar në anën e Serbisë.
Veprimi politik që do të duhej të merrte Kosova është i qartë: braktisje e plotë e dialogut Kosovë-Serbi që "ndërmjetësohet" nga BE-ja, përderisa ndërmjetësi mban anë.