Jomarramendëse: Kjo është pasuria e kandidatit që pritet të emërohet drejtor i Policisë
Tashmë gati se është punë e kryer. Policia e Kosovë pritet të bëhet me drejtor të ri. Gazmend Hoxha është kandidati që pritet të vendoset në krye të Policisë së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Sipas ligjit, sipas kushtetutës unë kam dorëzuar një emër jo shumë emër jo shumë emra, të një eprori të lartë të policisë së Kosovës, për tu zgjedhur në mbledhjen, e qeverisë… Po është emri i Gazmend Hoxhës, eprorit të lartë drejtorit të operacionit, që pres të votohet për drejtor të ri të policisë së Kosovës.”, ka deklaruar Sveçla.
Sa është pasuria e tij?
Gazmend Hoxha ka bërë deklarimin e pasurisë për vitin 2022 në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Pasuria e paluajtshme e Hoxhës kapë vlerën e gati 300 mijë eurove.
Ai ka deklaruar një banesë me vlerë 55 mijë euro, një shtëpi banimi 35 mijë euro dhe një tokë dhe mal me vlerë 200 mijë euro.
Pasuri të luajtshme, Hoxha ka raportuar që ka dy vetura me vlerë gati 9 mijë euro.

Para të gatshme ka deklaruar se ka 2 mijë e 700 euro.
Ndërkaq, Hoxha ka deklaruar se ka edhe dy kredi, njëra 15 mijë euro dhe tjetra 35 mijë.
Të hyra vetëm nga paga e Policisë së Kosovës, Hoxha ka deklaruar 18 mijë euro në vit.

Ndryshe, Policia ka mbetur pa drejtor që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Kjo pasi Samedin Mehmeti kishte dhënë dorëheqje pas dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë. Ushtrues detyre i drejtorit të Policisë ishte caktuar Fehmi Hoti.
