Johnsoni kritikohet që po shkon rrallë në Kuvend, po fiton miliona me diçka tjetër
Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, është ballafaquar me kritika për pjesëmarrje të pakta në Kuvend, duke qenë i zënë me diçka tjetër, që po i sjell më shumë fitim.
Johnsoni ka fituar më shumë se 3,7 milionë funte vetëm gjatë vitit 2023 përmes fjalimeve për kompani të ndryshme private.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga televizioni “Sky News”, të hyrat e jashtme të ish-kryeministrit janë sa rreth 85 për qind e pagave të të gjithë deputetëve britanikë.
Nuk ka ndonjë sugjerim për shkelje ligji dhe thuhet se Johnsoni është siguruar që të gjitha të ardhurat shtesë të jenë të deklaruara në linjë me rregullat, shkruan gazeta “The Guardian”.
Johnsoni ka folur në dhomën e ulët të Kuvendit 16 herë në dhjetë ditë të ndryshme që nga largimi nga posti i kryeministrit në shtatorin e vitit të kaluar, ka pasur strehim falas me vlerë të dhjetëra mijëra funteve si dhe është paguar me miliona funte për fjalimet e tij si dhe nga pagesa paraprake për libra biografikë.
Ai paguhet nga shtatë mijë funte në muaj si deputet dhe gëzon beneficione gjashtëshifrore si ish-kryeministër.
Shuma prej më shumë se 1 milion funtesh për një fjalim “nuk ishte vlera më e mirë për ato të holla, por njerëzit do t’i bëjnë zgjedhjet e tyre për atë që duan ta paguajnë për ta dëgjuar”- tha Bridget Phillipson, sekretare nën hije e Arsimit.
“Ai është një deputet i zgjedhur dhe ndoshta do të duhej t’i mbante ato fjalime në dhomën e ulët të Kuvendit. Boris Johnsoni thjesht e bën atë që e dëshiron. Ai gjithmonë e bën atë që e dëshiron”- shtoi ajo.
