Liburn Aliu thotë se "nuk i shti duart në zjarr që kryhet” rruga Prishtinë-Podujevë brenda afatit
Rruga Prishtinë-Podujevë pas plot telasheve tashmë ka filluar të ndërtohet. Përfundimi i kësaj rruge pritet të bëhet brenda një viti apo për 365 ditë. Por, kjo gjë nuk është e sigurt ani pse Qeveria Kurti premtonte që këtë rrugë do të përfundonte vitin e kaluar, pra më 2022. Çka tha mbrëmë ministër Liburn Aliu?
Liburni duket se nuk i përgjigjet anijeve të shpejta të fisit të liburnëve. Po del të jetë shumë i ngadalshëm.
Ministri i Infrastrukturës në një intervistë për Kallxo.com, ka lënë të kuptohet se përfundimi i kësaj rrugë mund të zgjasë më shumë se një vit.
Pavarësisht se me kontratë rruga Prishtinë-Podujevë do të duhet të përfundojë brenda 365 ditëve, Aliu ka thënë “nuk i shti duart në zjarr që kryhet”.
“A kryhet për një vit, mbetet prej dinamikës së punëve që do t’i zhvillojmë në terren. Pra 5 lote do të punohen paralelisht. Loti me kohën më të gjatë është 365 ditë, këto tjerat janë më pak. Sot një vit me kontratë kjo rrugë duhet me qenë e kryer por sado që kemi premtime mund të mos bëhet, mund të jenë elementet e motit, mund të jenë probleme të ndryshme që nuk janë parashiku“ – ka thënë Aliu.
Nga premtimi dikur se rruga do të kryhet në vitin e parë të Qeverisë Kurti, tash kjo rrugë mund të mos përfundojë as brenda afatit që është përcaktuar.
“Nga përvoja e kaluar nuk pres që kryhet, por ne e kemi bërë mobilizimin maksimal për me arritë këtë datë pra që të përfundojë për 1 vit. Jemi duke luftuar për me arritë këtë datë. Por nuk i shti duart në zjarr që kryhet, sepse ne e kryejmë shpronësimin, e bëjmë mbikëqyrjen e krejt por faktorët e paparashikushëm mund ta ndërrojnë atë 365-ditëshin” – ka thënë Aliu në Kallxo.com.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë inspektimi të punimeve në këtë rrugë, para gazetarëve ka thënë se rruga do të përfundohet brenda një viti. Anipse për Aliun nuk është e sigurt që do të përfundohet.
“Numri i ditëve është rreth numrit të ditëve që ka vitit që nevojitën si ditë punë për të përfunduar kjo.” – ka thënë Kurti.
Kontrata 38 milionë euro
Për ndërtimin e kësaj rruge janë ndarë 38 milionë euro. Një ndër kompanitë fituese për tenderin e kësaj rruge është kompania “Bageri”.
Në këtë kompani raportohet se ka punuar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
E për këtë, ministri Aliu, ka thënë se nuk ka pasur ankesa dhe se nuk e di nëse Durmishi ka punuar në këtë kompani.
“Po të kishte ankesa do të merreshim me to me shumë kënaqësi. Nuk e di a ka punu Durmishi në këtë kompani, e di deklaratën që ka thënë se i njeh por nuk mund të flas për këtë relacion” – ka thënë ai, duke kundërshtuar se ka konflikt interesi në nënshkrimin e kësaj kontrate.
Kompania ka fituar tender me vlerë 8 milionë euro.
Gjithashtu, Aliu konfirmoi se zëvendësi i tij, Hysen Durmishi është personi që i nënshkruan kontratat e Minsitrisë së Infrastrukturës.
Aliu u pyete se çka do të vepronte po ta kishte nënshkruar Adem Grabovci këtë kontratë.
Përgjigja e Aliut ishte kështu:
“Do ta kishim ngrit si shqetësim edhe natyrisht që ishte dasht me u marrë me atë punë auditimet e kështu me radhë.” – ka thënë ai.
Ndërkaq, deri më tani nuk ka ndonjë hetim apo auditim për këtë kontratë.




