Jeta dhe vdekja e Denys Tkach-it, ushtari i parë ukrainas që vdiq nga pushtimi rus - NACIONALE

Jeta dhe vdekja e Denys Tkach-it, ushtari i parë ukrainas që vdiq nga pushtimi rus

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Denys Tkach-i kujtohet nga bashkëshortja e tij, e cila ia pastroi trupin e shpuar nga plumbat para se ta varroste të veshur me kostumin e martesës, si një baba shumë të dashur, dashurinë e jetës së saj. Për ata që luftuan bashkë me të, Tkach-i ishte burrë i sjellshëm e udhëheqës. Në librat e historisë, ai mund të regjistrohet si ushtari i parë ukrainas që është vrarë në fillimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Rreshteri 36-vjeçar vdiq i vetmuar pak pas orës 3 e 40 minuta të mëngjesit, në ditën e parë të pushtimit rus, më shumë se një orë para se presidenti rus, Vladimir Putin, ta jepte njoftimin për të ashtuquajturin “operacion special ushtarak”. Trupi i ushtarit u gris nga plumbat e armëve pa zhurmë të vrasësve të paparë rusë.

Tkach-i ishte vendosur në një pikë ushtarake të kontrollit në periferi të fshatit Zorynivka, në rajonin lindor ukrainas, Luhansk, ku Ukraina takohet me Rusinë, raporton gazeta “The Guardian”.

Disa çaste para se ta humbte jetën, ai kishte dhënë urdhër për tërheqjen e pesë burrave të rinj nën komandën e tij, anëtarë të rojës kufitare ukrainase.

Disa ushtarë rusë ishin parë përmes dylbive të natës duke u përvjedhur drejt pozicionit të fortifikuar lehtë të ukrainasve nën shtresën e borës së madhe. Ishte një forcë avancuese. Prapa saj, një ushtri.

Pasi u kishte thënë ushtarëve të tij që të tërhiqeshin qetas, Tkach-i ishte afruar për ta kapur mitralozin e vetëm të pikës së kontrollit, akt i fundit që do t’i sillte medalje trimërie pas vdekjes.

Në atë çast, rusët, disi të vetëdijshëm se ishin parë, hapën zjarr dhe një breshëri plumbash i shpuan muret e hirta të kasolles së vogël, një vagon i vjetër treni, në të cilin ai ishte duke u strehuar.

Shërbimi shtetëror i rojës kufitare të Ukrainës ka konfirmuar se sulmi rus në Zorynivka ishte i pari në territorin ukrainas atë mëngjes.

Ata që shërbenin përreth fshatit, thonë se Tkach-i ishte i pari nga personeli i shërbimit ukrainas që vdiq në rajon. Në mjegullën e luftës, pak gjëra janë të qarta dhe mund të ketë ndodhur që njerëz të tjerë të kenë humbur nga sulme të tjera klandestine ose nga sulme me raketa, por ka shumë material për të sugjeruar se Tkach-i ishte i pari që u vra nga të gjithë ata pjesëtarë të ushtrisë ukrainase atë ditë në vend.

“Rojat kufitare ishin të parat që e ndien tradhtinë e armikut në trupat e tyre dhe në të gjitha drejtimet u angazhuan në betejë me forcat dërrmuese të forcave të armatosura të Federatës Ruse”- tha një zëdhënës i rojës kufitare ukrainase.

“Në orën 3 e 40 minuta të mëngjesit, sipas departamentit të Miloves në detashmentin e Luhanskut, pushtuesit rusë shkrepën armë të vogla në zonën e vendbanimit Zorynivka. U vranë roja kufitare ukrainase. Këto janë humbjet e para të vëllezërve tanë gjatë pushtimit të gjerë e të armatosur nga Rusia, të cilin shteti pushtues e kreu më 24 shkurt të vitit të kaluar”- shtoi ai.

Është kurora më e padëshirueshme: “i pari” në mesin e dhjetëra mijëra ushtarëve ukrainas që e kanë humbur jetën në luftën e Putinit. Është, ndoshta, edhe një shënues i pështirë. Megjithatë, rrëfimi për jetën dhe vdekjen e Tkach-it, i treguar për herë të parë nga ushtarët me të cilët ai kishte shërbyer e nga gruaja që ai e kishte dashuruar, ofron një depërtim që ta thyen zemrën brenda dhimbjes dhe mizorisë që është ndier në mbarë Ukrainën në 12 muajt e kaluar.

Ai ka lënë prapa një vajzë 2-vjeçare, e cila nuk do ta njohë kurrë babanë, një djalë 8-vjeçar, rreziqet e jetës së të cilit janë përcaktuar nga përvoja e asaj dite të përgjakshme, dhe një grua, Oksana, 29-vjeçare, e cila, disa orë pas vdekjes së tij, u desh që ta merrte dhe me butësi ta pastronte kufomën e burrit që e dashuronte, e cila ende po rridhte gjak, para se ta vishte me kostumin më të mirë për ta varrosur.

Biseda e fundit e Oksanës me bashkëshortin e saj, katër orë para vdekjes së tij, ishte përmes telefonit. Një telefonatë e gjatë një orë, gjatë së cilës ata i kishin diskutuar planet për ditëlindjen e dytë të vajzës së tyre, Dominikës. Ai pritej të kthehej nga detyra mëngjesin pasues në orën 10 e 30 minuta dhe kishin planifikuar që në ditën pasuese, më 25 shkurt, t’i blinin vajzës një veturë lodër që shtyhet me dorë.

Megjithatë, 25 shkurti do të ishte dita e funeralit të tij.

Fjalët e fundit të ushtarit për bashkëshorten e tij mbeten mundim: “Shihemi nesër. Të dua. Më mungon.” Një premtim i rrallë që s’u mbajt.

Sot, Oksana i kujton ngjarjet nga njëra prej tri dhomave të vogla në të cilat ajo jeton me fëmijët dhe nënën e saj, Valentyna, 55 vjeçe, në një shtëpi të shpartalluar, të ndarë me njerëz të tjerë, në periferi të qytetit të vogël në perëndim të Ukrainës, Volodymyr.

Familja iku nga pushtimi rus i fshatit të saj, Mykilske, pesë kilometra larg pikës së kontrollit ku u vra Tkach-i, dhe u vendos në skajin perëndimor të vendit verën e kaluar.

Oksana qesh me kujtimin se si jeta e saj ishte gërshetuar me jetën e Tkach-it që nga fillimi. “Jemi nga i njëjti fshat. Unë jetoja në njërën anë të rrugës, ndërsa ai në anën tjetër të saj”- thotë ajo. “E kemi njohur njëri-tjetrin që nga fëmijëria. Natyrisht, ishin shtatë vjet dallim mes nesh, prandaj ai më njihte mua i pari, ndërsa unë e njoha atë më vonë. Në fund, unë u rrita dhe fillova që të shkoja në disko e këso gjërash dhe fillova të shoqërohesha. Gjithmonë ishim miq. Më merrte nga shkolla e më çonte në shtëpi me motoçikletë dhe i thoshte nënës sime: “Ta kam sjellë dritën tënde të vogël të diellit në shtëpi.”

Marrëdhënie e tyre u bë romantike vetëm para shtatë vjetëve, kur Oksana kishte lënë pas vetes një martesë të dështuar, nga e cila kishte një djalë, Romanin.

Tkach-i, i cili ishte bërë pjesë e rojës kufitare më 2007, kishte filluar që të shfaqej më shpesh në shitoren lokale ku punonte Oksana, sjell ndër mend ajo. “Kolegia më pati thënë: Ai ndalet vetëm gjatë ndërrimit tënd, ai nuk vjen që të më shohë mua. A nuk mendon se ka diçka këtu?”

Çifti u martua në kishën e vogël në Mykilske më 2018 dhe ndërtuan një shtëpi së bashku, bashkë me një fermë të vogël me derra e pula. Përderisa Romani e di nga mosha 7-vjeçare se Tkach-i nuk është babai i tij biologjik, të dy ishin shumë të afërt me njëri-tjetrin. “Ai gjithmonë ishte baba për Romanin dhe Denysi e trajtonte atë si të birin e vet”- thotë Oksana.

Pas vrasjes së bashkëshortit, kohë e vështirë. Ajo vendosi që të largohej nga fshati në gusht, duke i shitur tërë orenditë për t’i paguar biletat në një furgon që shkonte drejt perëndimit të Ukrainës, pasi mori vesh se fëmijët e saj do të detyroheshin që të shkonin në shkollë ruse. Do të ishte një vozitje e rrezikshme 4-ditore, por Oksana nuk mund t’i pranonte as pushtimin rus të fshatit, as narrativën e Kremlinit për ngjarjet e fundit.

Vetë komandanti i burrit të saj dhe njëri prej atyre që ishte me të në pikën e kontrollit më 24 shkurt kishin qëndruar në fshat, duke iu dorëzuar sundimit rus. Kur e kishte parë ish-mbikëqyrësin e burrit të saj në rrugë atje, duke ecur me bashkëshorten e me vajzën 6-muajshe, Oksana e pranon që kishte mendime të errëta vrasëse për hakmarrje. “Unë besoj se ai e ka fajin për gjithçka, sepse nuk i kishte paralajmëruar, nuk i kishte thërritur për t’u kthyer nga pozicioni i tyre”- thotë Oksana.

Ndoshta gjëja më shqetësuese: vetë prindërit dhe motra e bashkëshortit të saj janë vendosur në Rusi dhe sot madje e vënë në pikëpyetje çështjen se mos kanë qenë ukrainasit që e kanë vrarë birin e tyre. “Fillimisht, njerëzit ishin shumë të zemëruar, duke thënë: Pse janë rusët këtu, çfarë po bëjnë? Megjithatë, pastaj, para se të kalonte muaji, nuk mund të besoj, njerëzit ishin të lumtur me autoritetet e reja dhe i përkrahën ato dhe thën se janë çliruar. Të gjithë të rinjtë, secili që ishte kundër rusëve, ishin larguar menjëherë. Më vonë, edhe prindërit e tij filluan të më thoshin: A je e sigurt se atë e kanë vrarë rusët? Ndoshta ishin ukrainasit. Kjo ishte e padurueshme për t’u dëgjuar”- shton ajo.

Oksana ka dëgjuar nga ish-bashkëluftëtarët e bashkëshortit duke thënë se ata besojnë se Tkach-i ishte ushtari i parë ukrainas që ka vdekur në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Ajo e ka marrë medaljen e tij për trimëri. Si ndihet ajo një vit pas kësaj ngjarjeje tragjike në histori? “Ndiej dhimbje”- thotë ajo. “Ndihem e humbur.”

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme