Jep dorëheqje sekretarja e Transportit në Spanjë, trenat e rinj shumë të mëdhenj për tunele
Sekretari shtetëror i Transportit dhe shefi i kompanisë shtetërore të hekurudhave kanë dhënë dorëheqje pas zemërimit të vazhdueshëm të publikut dhe politikanëve, kur u mor vesh se dhjetëra trena të rinj, të porositur për dy rajone veriore spanjolle, ishin shumë të mëdhenj për të kaluar nëpër tunele.
Para tre vjetëve, operatori shtetëror i hekurudhave, “Renfe”, i bëri të ditura planet për modernizimin e trenave të udhëtarëve në rajonet Asturias dhe Cantabria, raporton gazeta “The Guardian”.
Megjithatë, muajin e kaluar u mor vesh se trenat që po prodhoheshin nën një kontratë prej 258 milionë eurosh, do të ishin shumë të gjerë për të kaluar nëpër tunelet e këtyre dy rajoneve.
Miguel Angel Revilla, president rajonal në Catabria, e përshkroi projektin si dështim dhe bëri thirrje për ndërmarrje të masave, ndërsa presidenti i rajonit Asturias, Adrian Barbon, tha se ai është i hutuar, i zemëruar dhe i zhgënjyer.
Shkarkimi nga detyra i dy zyrtarëve të lartë – njëri në “Renfe” e trejti në kompaninë shtetërore të infrastrukturës së hekurudhave, “Adif” – dolën të ishin të pamjaftueshme për ta larguar zemërimin e atyre që nuk ishin të kënaqur me planifikimin dhe vonesën si pasojë.
Të hënën, sekretarja shtetërore e Transportit, Isabel Pardo de Vera, e ofroi dorëheqjen, njësoj si Isaias Taboas, drejtor i kompanisë “Renfe”.
Koalicioni qeveritar i kryeministrit Pedro Sanchez është munduar që të bëjnë ndryshime të mëtejme, duke njoftuar se udhëtimi me trena në rrjetet e dy rajoneve që preken nga vonesa e projektit do të jetë falas deri në fillimin e qarkullimit të trenave të rinj në fillim të vitit 2026.