JAVA | Ngjarjet e këtyre shtatë ditëve që s’bën kurrqysh t’i humbni
Edhe këtij cikli njëjavor i erdhi fundi, dhe të përmbledhura e shkurtuara i keni ngjarjet më pikante që kurrqysh s’është dashur t’i humbisnit, sipas përzgjedhjes së redaksisë së Nacionales.
1 maj
Një javë më parë, pra të dielen e kaluar, ishte 1 maji. Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve apo Dita e Punëtorëve Ndërkombëtarë? Si duket, për punëtorët kosovarë përsëri ajo nuk u përjetua si ditë që kishte të bënte me ta, pasi bojkotuan dy protesta të thirrura në emrin e tyre.
E para, u mbajt nga BSPK-ja dhe i mblodhi nja tridhjetë vetë. E dyta, u mbajt nga Blloku Anti-Kapitalist dhe i mblodhi po ashtu nja tridhjetë vetë.

Në të dytën u bë thirrje që të paguhej puna e grave amvise, të cilat veçse po përgatiteshin të kryenin fshirjet e gatimet e nevojshme për 2 maj, datë për të cilën do të flasim pak më poshtë.

Por, për dallim nga vitet e tjera, klasa punëtore mungoi edhe në Parkun Nacional të Gërmisë. Nacionalja shkoi në atë vend për të parë gjallërinë e zakonshme, por nuk e gjeti.

Bajrami
Menjëherë pas ditës së punëtorëve do të vinte Dita e Bajramit. Ai do të falej qysh në mëngjes, për t’i sjellë Kosovës një atmosferë feste.
Myftiu Naim Tërnava në urimet e tij për besimtarët muslimanë do të deklaronte se ishte mëkat (gjynah) që të rinjtë të braktisnin vendin e tyre (vatanin). Kjo deklaratë erdhi menjëherë pas takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Tërnavës iu përmend pasuria e tij e madhe në kritikat e shumta që mori për Bajram.
200 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza pune në Gjermani vetëm për katër muaj (deri në fillim të muajit prill).
Komisione, komisione kjo dynja
Të paktën, kjo mund të thuhet për Kuvendin e Kosovës. Pas përplasjeve të ashpra – që parë në retrospektivë nuk ia kemi idenë pse ndodhën – palët (VV dhe PDK) u pajtuan që të formoheshin dy komisione hetimore parlamentare për energjinë.

I pari do të hetojë dallaveret eventuale që mund të ketë ndodhur gjatë muajve të fundit me krizë energjetike. I dyti do të hetojë dallaveret eventuale që mund të kenë ndodhur përgjatë tri dekadave (prej 2006, pra dekada e viteve 2000, 2010 dhe tash 2020).
Kryetar i të parës do të jetë Driton Selmanaj, ndërsa i të dytës Hajdar Beqaj.
Darka e ‘gabuar’
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hëngri një darkë në Berlin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. I pranishëm në atë darkë ishte edhe përfaqësuesi special i dialogut Kosovë-Serbi, i famshmi Mirosllav Lajçak.
Se çka u fol në darkë nuk dihet, ashtu siç nuk dihet as se cila ishte menyja. Megjithatë, Kurti u shpreh se nuk kishte pranuar të hante gjellë të ndryshme nga ajo e Vuçiqit, duke dëshmuar kësisoji barazinë në takim.
Paraprakisht, edhe Kurti por edhe Vuçiq ishin takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz që pak-a-shumë ripërsëriti qëndrimet e njëjta si ish kancelarja Angela Merkel për rajonin tonë.

Meqë jemi te barazia, mu atë ditë (4 maj) ishte ditëlindja e Marshall Titos – diktator famëkeq komunist. Megjithatë, siç mund ta shihni nga një storje e Nacionales, ai ende vazhdon të nxehë zemrat e disa kosovarëve.

Por, storjet e 4 majit 2022 nuk përfundojnë këtu. Bash më 4 maj, derisa po kryente një punë tjetër, Nacionalja gjeti një tank serb në një fshat të Ferizajt të quajtur Prelez i Muhaxhirëve. Storja e këtij tanku serb del se ishte mjaft interesante, ashtu si prania e tij në atë fshat shqiptarësh.

S’kam kUnkurru
Nëse keni konkuruar e nuk keni fituar padrejtësisht në konkursin e fundit të KEK-ut që u bë i famshëm pas raportimeve mediale të Nacionales, atëherë jeni me fat. Ky konkurs në të cilin ishin evidentuar një mal dallaveresh – punësime familjare e partiake – tashmë është anuluar.
Një gjë e tillë përbën pranim nga pushteti të dallavereve, për herë të parë, dhe tashmë edhe institucionalisht.

Kur ti në Amerikë? Kurti në Amerikë!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe në këtë moment që po shkruajmë ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të gjithë janë me shpresë se ai do të ketë ndonjë takim të rëndësishëm zyrtar. Nuk dihet nëse do t’ia arrijë këtij qëllimi, që do të ishte shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Prandaj, nuk e dimë tamam nëse Kurti është në Amerikë, në Amerikën e presidentit Joe Biden. Se a do të mbetet pyetja për Kurtin “Kur ti në Amerikë?” mbetet të shihet.
Në Amerikë ka udhëtuar në një vizitë të ndarë nga ajo e kryeministrit edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.