Java e mesazheve të Dejona Mihalit me Krasniqin dhe sabotimi i punës së Kuvendit nga VV-ja - NACIONALE

Java e mesazheve të Dejona Mihalit me Krasniqin dhe sabotimi i punës së Kuvendit nga VV-ja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetemë e javës që po e lëmë pas ishte publikimi i mesazheve të koordinatores së Vetëvendosjes, Dejona Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi. Publikimi i këtyre mesazheve nga Nacionale nxiti reagime të mëdha në publik. Përveç kësaj, debat u bë edhe për mospjesëmarrjen e deputetëve të VV-së në seancat e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të thirrura nga partitë opozitare.

Mesazhet e Dejonës

Javën që po e lëmë pas, Nacionale publikoi mesazhet e njëriut kryesor të Vetëvendosjes, Dejona Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Në këto mesazhe, Mihali koordinohej edhe se kur duhet të ndalet rryma në Kosovë dhe i kërkonte ish-shefit Krasniqi që s’duhet të ketë reduktime.

“Sot dhe nesër jetike mos të ketë reduktime”, i drejtohet Mihali ish-Kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi në komunikimet që i ka siguruar gazeta Nacionale.

Madje përveç kësaj, ajo ia shton edhe një “fare” në fjali, duke ia bërë të ditur Krasniqit, se për ato ditë të caktuara nuk duhet të ketë fare reduktime.

Në të tjera mesazhe të cilat ka siguruar gazeta Nacionale, koordinatorja e VV-së, Dejona Mihali, komunikon me Nagip Krasniqin për seancat e Kuvendit. Votimet e anëtarëve të Bordit. Për njerëzit e besueshëm që kanë, dhe të tjerët që ishin pjesë e ‘regjimit’ të vjetër.

Mihali gjithashtu i redaktonte komunikatat e vendimet në KEK.

Kryeshefi i KEK-ut i kërkonte aprovim Dejona Mihalit nëse një vendim për gjendje të jashtëzakonshme, ishte në rregull. Dokumente të tilla, në mesazhet e siguruara nga Nacionale, shihet se Krasniqi i dërgonte gjatë tërë kohës Dejona Mihalit.

Një ndër mesazhet që nxiti reagime më të mëdha ishte kërkesa e Mihalit ndaj Krasniqit për takimi me të.

Mihali e fton në objekt të Vetëvendosjes: por, ia bën me dije që të shkojë i kamufluar: “...me kapelë” të cilës ia shoqëron edhe një ‘smajll’.

Dejona Mihali i kërkon takim Nagip Krasniqit:

Mihali: “Po duam të të takojmë me Gazmendin. Kur mundemi?”

Krasniqi: “Të shtunën?”

Mihali: “Të shtunën kam këshill, të pretem në pasdite/mbrëmje?”

Krasniqi: “Jam në Vjenë. Kthehem nesër. Të premten kam mbledhje të bordit tërë ditën”.

Mihali: “Të dielën në 12:00”

Krasniqi: “Në rregull”

Mihali: “A po vjen te...me kapelë J”

Këto mesazhe nuk u lanë pa u komentuar, bile PDK-ja në Kuvend të Kosovës vendosi kapela të zeza në ulëset e deputetëve të VV-së.

Injorimi i Kuvendit nga VV-ja

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bojkotuar tri seanca parlamentare, ata nuk kanë marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme, të cilën e kishte thirrur PDK-ja, ku është diskutuar për faljen e kundërligjshme të borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit nga Qeveria Kurti dhe për komunikimet e Dejona Mihali dhe ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Deputetë e VV-së nuk morën pjesë as në seancën ku u diskutua për ushqimin në FSK e as për bisedat e shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin serb, Milan Radojiçiq.

Ndërkohë, organizatat joqeveritare e analistë që merren me mbikëqyrjen e punës së Kuvendit, i reaguan VV-së duke thënë se mospjesëmarrja në seancat e Kuvendit është shkelje Kushtetuese.

Për këtë gjë VV-ja tha se nuk merr pjesë në seancat ku kinse bëhet propagandë kundër Qeverisë Kurti.

Lajme të ngjashme