Java e goditjes brutale nga Amerika - NACIONALE

Java e goditjes brutale nga Amerika

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimi për dinarin me rregulloren e re të BQK-së, ka shkaktuar një tjetër krisje të raporteve mes Qeverisë dhe Shtetetve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo krisje fillimisht mohohej kategorikisht nga ekzekutivi. Madje, ministri i Financave, Hekuran Murati, e quajti propagandë të Serbisë. Por, nuk doli krejt propagandë.

Ishte fillimisht diplomati i lartë amerikan, James O’Brien, ka thënë se nëse qeveria nuk e trajton Amerikën si partnere, atëherë as ata nuk do ta konsiderojnë Qeverinë e Kosovës.

" Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin.” – tha ai.

O’brien ka folur edhe për takimet e bisedat me Kurtin.

“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere.” – tha ai.

Ndihmëssekretari amerikan u pyet edhe për mundësinë që ShBA-ja të vendosë sanksione ndaj Kosovës.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”. – tha ai.

Kryeministri Kurti e vartësit e tij mohuan se po rrezikohen raportet.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleatë dhe mik më të rëndësishëm sikurse ShBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Republikës së Kosovës. BQK ka prezantuar një plan dhjetë pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi Republikë demokratike, qeveria nuk i mbivendoset institucioneve të pavarura shtetërore siç është BQK, dhe në mesin e këtyre dhjetë pikave si plan pune për zbatimin e rregullores, BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese”, u përgjigj Kurti.

Megjithatë, një goditje brutale ia dha më pas qeverisë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Ky i fundit tha se “nuk është e vërtetë që nuk janë prekur raportet me Amerikën”.

Sipas Hovenierit, marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Kosovës tashmë janë ndikuar nga çështja e ndalimit të dinarit.

“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovoës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata.” – tha ai.

Diplomati amerikan ka thënë se SHBA-së është e përkushtuar që të mbështes popullin e Kosovës.

Pavarësisht mospajtimeve me Qeverinë, ai ka thënë se të shtunën do të jetë i pranishëm në ceremoninë për të festuar 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

SHBA përkushtohet për popullin e Kosovës dhe jemi plotësisht të përkushtuar. Dhe të shtunën do të festojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe gjithsesi se do të jemi i pranishëm për të festuar atë që kemi arritur se bashku. Por, kjo nënvizon prapë atë se sa problematik është ky moment. Pra, Qeveria duket se nuk po punon në partneritet me neve. Pra duan të shmangim gjera të tilla që të ndodhin në të ardhmen”, ka thënë diplomati amerikan.

Ambasadori amerikan është pyetur edhe pasojat e mundshme ndaj Kosovës, nëse Qeveria nuk reflekton ndaj kërkesës së SHBA-së për të pezullua rregulloren e re të BQK-së.

Kjo na bëhet shpesh si pyetje. Është bërë e njëjta gjë edhe në Departamentin e Shteti. Dhe është thënë se nuk jemi në pozitën për të folur për ndonjë masë specifike dhe këtë mund ta them edhe unë. Por po them prapë, siç e ka thënë z. O`Brien, ne do të shpresonim që Qeveria dhe kryeministri Kurti do të angazhohet si partnerë që ta zgjidhim këtë çështje se bashku në vend se të marr veprime të njëanshme”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme