Java e fundit e shkurtit: Bota sytë te ‘përplasja’ Trump-Zelensky, Kosova kah kutitë me vota të diasporës
Java e fundit e muajit shkurt në arenën ndërkombëtare u karakterizua me përplasjen të pa precendent, para kamerave ndërmjet Presidentit të ShBA-ve, Donald Trump dhe atij ukrainas Zelensky. Derisa pjesa më e madhe e botës sy e veshë i kishte nga kjo përplasje, me analiza, pikëpamje e konkluza, kosoavarët e patën edhe një ‘brengë’ shtesë, çka ka mundur të ndikoj në intensitetin e analizën, pikëpamjes a konkluzës. Votat e diasporës po numërohen në vendin tonë. Një sy na mbeti aty, sidomos pas shpërputhjes së këtyre votave që u dërguan me postë me ato që erdhën nga votimi në konsulata. VV u votua bindshëm në konsulata, por që me postë, deri tash rezultatet dalin krejt më të balancuara.
Çka ndodhi?
Bota
Ditën e fundit të shkurtit, më 28 Trump-Zelensky u përplasën në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë duke zënë ballinat e mediave gjithandej botës.
Më poshtë, e gjeni të përkthyer nga Nacionale pjesën më kryesore nga kjo perplasje:
Zelensky: T’ia nisim nga fillimi. Së pari, gjatë luftës, të gjitha kanë problem, edhe ju. Por ju, keni një oqean të mirë dhe ju nuk e ndjeni tani, por do ta ndjeni në të ardhmen. Falë zotit, ju nuk keni një luftë…
Trump: Mos na trego se çfarë të ndjejmë, po mundohemi të zgjidhim një problem. Mos na tregoni se çfarë do të ndjejmë.
Zelensky: Nuk po ju tregoj, po përgjigjem…
Trump: Sepse nuk je në një pozicion për ta diktuar këtë. Nuk je në pozicion se çfarë do të ndjejmë. Do të ndihemi shumë mirë, do të nidhemi shumë mirë, dhe shumë të fuqishëm.
Zelensky: Do të ndjeni ndikim
Trump: Aktualisht nuk jeni në një pozicion shumë të mirë, e keni lejuar vetën që të ndodheni në një pozicion shumë të keq dhe ai (J.D Vance) ka të drejt për këtë.
Zelensky: Që nga fillimi i luftës…
Trump: Nuk jeni në pozicion të mirë. Nuk keni kartat aktualisht. Me ne filloni t’i keni kartat. Por tani, je duke luajtur me karta, je duke luajtur bixhoz me miliona njerëz, je duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore. Po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore. Dhe kjo që je duke bërë është mungesë respekti ndaj këtij shteti që të ka përkrahur më shumë se sa shumë njerëz kanë thënë.
Kosovë
Procesi i numërimit të votave të diasporës po sjell rezultate të çuditshme.
Trendi i votave të bashkatdhetarëve që kanë votuar me postë është krejt ndryshe prej trendit të atyre që kanë votuar në ambasadat dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Ndonëse diaspora është e njëjtë, rezultat nga këto kuti të votimit po dalim shumë të ndryshme.
Derisa mërgimtarët që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës e kanë votuar deri në 80 për qind partinë në pushtet, ata që kanë votuar përmes postes e kanë votuar përgjysmë më pak VV-në.
Ky dallim në rezultat ka ngritur shumë pikëpyetje.
Njohësit e proceseve zgjedhore dhe tyre politike kanë shprehur dyshimet e tyre tek procesi i votimit që është zhvilluar në konsullata dhe ambasadat e Kosovës, më 8 shkurt.
Eugen Cakollin nga Demokracia në Veprim ka vlerësuar se nuk beson që diaspora është aq heterogjene sa rezultati në këto kuti të votimit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky rezultat e ka çuditur.
“Kjo është lista e komunave, nga të cilat janë votuesit që kanë dërguar fletëvotimet e tyre me postë, në kuadër të votimit jashtë vendit. Këto vota, në QNR, do të numërohen komunë për komunë. Megjithatë, duhet theksuar që diaspora si strukturë demografike, nuk është aq heterogjene, andaj edhe do të ishte deri diku i çuditshëm (e mbase indikativ) ndonjë rezultat fort i ndryshëm nga votat në misione diplomatike, sepse fundja, po flasim për grupin e njëjtë socio-kulturor brenda shteteve të ndryshme”, ka shkruar ai.
Dyshime edhe më të mëdha ka shprehur Adil Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka vlerësuar se kjo situatë rritë dyshimet për manipulim të votave në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Është e dukshme se ka shpërputhje të madhe në mes të votave që Vetëvendosje i ka marrë nga bashkatdhetarët përmes votimit në përfaqësitë diplomatike dhe votimit të tyre përmes postës. Mërgata e njëjtë, trendet e ndryshme! Mbi 80% përmes votimit në përfaqësitë diplomatike dhe përgjysmë më pak nga votimi i tyre përmes postës! Kjo situatë i rrit dyshimet për manipulimin e procesit të votimit në ambasada dhe konsullata, i cili ka qenë gati krejtësisht në duart e ambasadorëve dhe konsujve të emëruar nga Kurti, Osmani dhe Gërvalla. Ambasadorët dhe konsujt nuk janë persona që mund të angazhohen në procese zgjedhore dhe duke i lejuar është prodhuar një proces zgjedhor jokredibil në diasporë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, kjo është hera e parë që qeveria është përzier në organizmin e zgjedhjeve.
“MPJD e ka dështuar edhe tenderin për sjelljen e kutive të votimit me aeroplanë për t’i sjellë ato me automjete, me nga 20-30 orë rrugë tokësore, me vetëm 1 po 2 persona si bartës të tyre. KQZ nuk është dashur të organizojë zgjedhje në ato ambasada apo konsullata, ku nuk ka qenë në gjendje ta zotërojë procesin zgjedhor apo ta ruajë integritetin e votës dhe besimin e qytetarëve. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që Qeveria të ndërhyjë në punën e një institucioni të pavarur, siç është KQZ-ja. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që KQZ-ja t’i japë mandat Qeverisë, siç i ka dhënë këtë radhë MPJD-së. Zgjedhjet i organizojnë institucionet e pavarura, jo qeveritë!”, ka shkruar Behrami